Mjeku i njohur Tritan Kalo, simbol i përkushtimit gjatë pandemisë, ka ndarë një rrëfim personal për marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama, marrë shkas nga intervista e këtij të fundit për një media gjermane, ku rrëfeu dhunën e ushtruar ndaj tij nga agjentë të SHIK-ut në vitin 1997.
“Edi Rama ka lindur në të njëjtin pallat ku unë banoja që nga viti 1962, në rrugën ‘Muhamet Gjollesha’. Jemi fqinj të vjetër,” shkruan Kalo, duke treguar se, pavarësisht dallimeve dhe ulje-ngritjeve në miqësinë e tyre, ai nuk hezitoi ta ndihmonte në momentet më të vështira. “Si mantelbardhë i panjolltë, e asistova mikun tim për të kapërcyer ato javë të vështira pas ‘masakrimit miqësor shikror’”.
Mjeku tregon gjithashtu se gjatë trazirave të marsit ’97, ndërsa Rama ndodhej në Paris, ai strehoi përkohësisht bashkëshorten dhe dy vajzat e tij në studion personale. Vetë ai refuzoi të largohej nga Shqipëria, për të vijuar shërbimin ndaj pacientëve në QSUT.
“Unë si Dr. Tritan Kalo, as dje, as sot dhe as nesër, nuk mund të përziej profesionin tim humanitar me dritë-hijet politike të një komshiu, sot Kryeministër i vendit,” përfundon ai. /Versus.al







