Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në një shkollë të Fierit në kuadër të konsultimeve mbi propozimin e mbylljes së rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat.
Ai foli për problemin me të cilin hasen mësuesit dhe prindërit me realitetin e ri ku virtualiteti dhe rrjetet sociale kanë zëvendësuar shumë gjëra të botës reale.
“Po ti thuash lër telefonin dhe kap librin, është si t’i thuash je i arrestuar. Duket normale por është gjëja më anormale dhe e frikshme kur ti futesh në një restorant apo lokal dhe shikon prindër dhe sheh fëmijët në karroca që iu vënë iphone përpara ndërkohë që ata nuk dinë as të flasin. Sapo ua heq atë, fillon klithma. Kjo është një forcë e re në jetën e familjes dhe shkollës. Nuk është më vetëm mësuesi, nxënësi dhe prindëri, por edhe ky “tjetri’ si hije. Në rastin e fëmijëve, ajo hija u thotë fëmijëve të kundërtën që u thotë prindi apo mësuesi”- tha Rama.
Kreu i ekzekutivit tha se në rrjetet sociale është e kundërta e asaj çfarë mësohet në shkolla, ndërsa pati kritika për prindërit të cilët zgjedhin t’u japin fëmijëve telefonat për të bërë të mundur që të mos bezdisen.
“Në tiktok nuk ekziston fjala “faleminderit” apo “të lutem” apo “respekti ndaj të rriturit”. Aty ata fëmijë marrin një frymëzim tjetër komplet. Në momentin që i jep fëmijës telefonin dhe nuk e kontrollon, është si t’i japin një rrugaç për shok. Unë e kam tmerr tiktok-un por herë pas here jam interesuar për ta parë si funksionon. Çfarë del nga Kina, ka vetëm video me vepra të jashtëzakonshme, ndërkohë që në botën perëndimore përfshirë edhe Shqipërinë, është një ferr”- shtoi kryeministri.
Konsultimet në shkolla nisën pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 18 nëntor në Tiranë ku vetëm 200 metra larg shkollës “Fan Noli” një nxënës 14 vjeçar u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij, ndërsa një tjetër i mitur mbeti i plagosur. Ngjarja alaroi vendin mbi pasigurinë e fëmiëjve në shkolla dhe dështimin në edukimin dhe mbajtjen nën kontroll të të miturve. Versus.al