Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social “X” ka dënuar ashpër sulmin e dytë me raketë balistike të Iranit ndaj Turqisë. Rama shkruan se fakti që ky është sulmi i dytë brenda pak ditësh, është alarmues dhe rrezikon të krijojë destabilitet më të madh.
Ndërsa theksoi marrëdhënien e mirë mes dy vendeve, kreu i qeverisë përgëzoi reagimin e shpejtë të NATO-s duke asgjësuar në ajër raketën balistike.
“Shqipëria dënon me forcë sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë. Fakti që ky është sulmi i dytë i tillë në ditët e fundit është thellësisht alarmues dhe nënvizon më tej natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve.
Turqia është një vend vëllazëror, një partner strategjik i Shqipërisë dhe një aleat i vlefshëm i NATO-s. Përpjekjet e regjimit iranian për të projektuar tensione dhe paqëndrueshmëri me sulme të vazhdueshme kundër fqinjëve të saj janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Veprime të tilla rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej situatën dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
Shqipëria përgëzon reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtjen e territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës. Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë aleatët në ruajtjen e sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë”- shkruan Rama. Versus.al


