Kryeministri Edi Rama e cilësoi si ‘historike’ uljen me 1 lekë të energjisë elektrike, vendim që u mor nga bordi i ERE-s. në konferencën për mediat ku ishte e pranishme edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, Rama tha se kjo është hera e parë në 35 vite që ka ulje të çmimit të energjisë elektrike.
Më tej teksa foli për situatën hidrike të Shqipërisë, tha se brenda 3 viteve të ardshme vendi do të arrijë sovranitet të plotë energjitik.
“Kemi 1300 megavat energji diellore, në total do arrijmë objektivin e 30% të prodhimit të energjisë totale nga burime të tjera nga dielli dhe uji. Kjo është e rëndësishme për faktin sepse ndryshe nga çfarë thonë ata që nuk dinë çfarë thonë duke thënë se ne kemi energji për veten dhe të tjerët. Në fakt në vitet e mira hidrike, ne mbulojmë vetëm 75% të nevojave. Prandaj nuk jemi sovranë akoma, por sot jemi 3 vite larg nga sovraniteti i plotë energjitik. Sepse 30% që na duhet për të plotësuar, plus riciklimin hidrik përmes teknologjisë së re të pompimit, do na bëjnë që të jemi sovranë. Në vitet jo të mira hidrike ne kemi 60% kapacitetin total të prodhimit. Jemi të varur nga importi dhe çmimet e bursave. Sot iu themi shqiptarëve se u deshën vite, por ia dolëm t’ju shohim në sy dhe t’ju themi se do kenë ulje të çmimit të energjisë”- deklaroi kryeministri.
Teksa theksoi se që prej 2019-ës vihet re një nivel rekord konsumi energjitik, Rama tha se vendimi i sotëm shërben edhe për kritikët të cilët u thonë shqiptarëve se çmimi i energjisë është rritur.
“Sot do ekspozojmë me fakte të gjithë ata që pasi ua kanë nxirë jetën shqiptarëve, bëjnë teori për sektorin energjitik ndërkohë që çmimet e energjisë elektrike i kanë pasur më të larta sesa çmimi që është sot, jo sesa ai që do jetë duke nisur nga 1 shkurti. U kanë rrokanisur kokën shqiptarëve duke u thënë se ne e rritëm çmimin. Ne nuk kemi rritur asgjë, ne thjesht po rrisim Shqipërinë çdo ditë”- shtoi kryeministri.
Vendimi u mor sot në bordin e ERE dhe të gjithë konsumatorët familjarë të cilët kanë konsumuar deri në 700 kilovat në muaj të paguajnë 8.5 lekë për kilovat, nga 9.5 lekë që ka qenë. Nga 1 shkurti aplikohet kjo ulje, ndërsa për ata që kalojnë konsumin e 700 kilovatëve, diferencën do e paguajnë nga 9.5 lekë për kilovat. Versus.al








