
Shifër rekord e regjistrimit të emigrantëve, të cilët do të shprehin vullnetin e tyre me vote, për herë të parë në parlamentaret e 11 Majit. Sipas shifrave nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, brenda pak ditësh kanë bërë kërkesë për regjistrim mbi 14 mijë shqiptarë të Diasporës.
Kërkesat për regjistrim janë konkretisht 14261 deri në orën 20.00, ndërsa janë miratuar 2352 kërkesa.
Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkuj me 9,837 (69.0%) kërkesa, ndërsa femrat janë 4,424 (31.0%).
Deri më tani KQZ ka refuzuar 402 kërkesa, por emigrantët kanë mundësi për ta ridërguar aplikimin e tyre, brenda disa ditëve nga marrrja e një përgjigje negative.
Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 4,289, e ndjekur nga Greqia me 3,011, Gjermania me 2353 si dhe nga SHBA me 1352.
Kryeqyteti kryeson listën e kërkesave për regjistrim për votim në zgjedhje me 2717 aplikime dhe pasohet nga Fieri me 1236 kërkesa dhe Durrësi me 722 kërkesa, deri mbrëmjen e sotme. /Versus.al/








