
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja i arrestuar mbrëmjen e djeshme në Durrës për 3 vepra të rënda penale, mësohet se për njërën për tyre “përkrahjen e autorit të krimit” lidhet me kreun e grupit kriminal “Hajri” të Shijakut, Altin Hajrin.
Ky i fundit, rezulton i shpallur në kërkim që prej 4 vitesh për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020, por Jurgis Çyrbja ndërkohë i ka ardhur në ndihmë duke e strehuar në shtëpinë e tij dhe banesa të tjera të Durrësit për ta fshehur nga drejtësia.
Zhdukja e Jan Prengës
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 Janar 2020 dhe prej gati 4 vitesh trupi i tij nuk është gjetur. Kompleksi 'Golden' në Shijak u kthye ne skenën e krimit për Jan Prengën, ndërsa policia me anë të pamjeve filmike provoi praninë e trupit të tij dhe vendosi pas hekurave Leonard Hajri, Bajram Hajri, Festim Bexhdili, Olsi Turja si dhe Ardian Docaj, ndërsa sot në burg ka mbetur vetëm kopshtari Festim Bexhdili. Ai u ekzekutua me urdhër nga "kokat" e bandës, për shkak të një sasie prej 283 kg kokainë, që vëllai i Jan Prengës, Astrit mbante peng në Angli dhe nuk e tregonte se ku e kishte çuar. Në kërkim për ngjarjen kriminale është ende pronari i “Golden”, Altin Hajri i cili konsiderohet edhe si kreu i grupit kriminal në Shijak. Versus.al








