
Xhemal Gjunkshi ka reaguar pas aludimeve në media, për emërimin e tij si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare pranë Partisë Demokratike, menjëherë pas takimit me të ashtuquajturin "grupi i kafes", në të cilin ai mori pjesë me figura të tjera të PD-së.
Gjunkshi sqaron se pretendimet e shpërndara në rrjet janë të pavërteta, sepse siç thotë, emërimi i tij nga Sali Berisha ka ndodhur rreth dy muaj më parë, shumë përpara se të ndodhte e ashtuquajtura “kafe e famshme”.
"Ky funksion nuk ka asnjë lidhje me pazare, marrëveshje të fshehta apo llogari politike të momentit", shpjegon politikani demokrat përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në lidhje me “grupin e kafes”, Gjunkshi thotë se pjesëmarrja e tij në tavolina diskutimi me miq, kolegë apo demokratë të tjerë është praktikë normale e çdo njeriu aktiv në jetën publike, dhe nuk përbën as mbështetje politike të re, as lëvizje taktike.
Postimi i plotë i Xhemal Gjunkshit:
Së fundmi disa komente të pavërteta janë shpërndarë në rrjete, duke lënë të nënkuptohet se emërimi im si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare pranë Partisë Demokratike është bërë pas një takimi kafeje me disa figura të njohura të opozitës. Kjo është plotësisht e pavërtetë.
Për korrektësi publike:
1. Emërimi i Xhemal Gjunkshit nga Dr. Prof. Sali Berisha, ka ndodhur rreth dy muaj më parë, shumë përpara se të ndodhte e ashtuquajtura “kafe e famshme”.
2. Ky funksion nuk ka asnjë lidhje me pazare, marrëveshje të fshehta apo llogari politike të momentit.
Unë Xhemal Gjunkshi jam pjesë e Partisë Demokratike për idealizëm dhe bindje, jo për përfitime. Kam kontribuar ndër vite me integritet, korrektesë dhe qëndrime të qarta publike, si qytetar, si ekspert dhe si demokrat i përkushtuar.
Pjesëmarrja ime në tavolina diskutimi me miq, kolegë apo demokratë të tjerë është praktikë normale e çdo njeriu aktiv në jetën publike, dhe nuk përbën as mbështetje politike të re, as lëvizje taktike.
