
Ish kryeministri Sali Berisha ka vijuar konferencën e tij të radhës me gazetarët ku thekson se nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit 2025. Nën vazhdën e asaj që ai e quan “farsë elektorale”, Berisha u shpreh se kryeministri Rama është ndihmuar me anë të bandave më famkeqe të vendit për të fituar këto zgjedhje. Një ndihmë e madhe sipas tij është marrë nga e Xhabafëve me influencë shumë të madhe në Tiranë, ndonëse bazën sipas tij e ka në Lushnjë, pasi ka zëvendësuar bandën e Aldo Bares.
Ka qenë pikërisht ky bashkëpunim me bandat të Ramës, pretendon Berisha që ka bërë që askush mos ta urojë.
“Në Tiranë banda e Xhabafëve është bandë me degën e saj të rëndësishme në Tiranë, pavarëisisht se e ka bazën në Lushnjë dhe ka zëvendësuar bandën e Aldo Bares. Segmente të bandës së Shullazit, Serjani dhe banditë të tjerë janë marrë ditë e natë me kërcënim votuesish dhe blerje votash. Tirana ishte e ngërthyer në një darkë krimi në të katërt anët e saj nga vrasës serial, trafikantë e organizata. Çfarëdo të bëjë Rama me asgjë nuk mund ta fshehë farsën e shëmtuar elektorale të 11 majit 2025. Flluskat dhe qeskat e tymit që shpërndanë një ditë me një pretendim një ditë me një tjetër, faktojnë një dështim të plotë në maskimin e farsës elektorale. Ka shpërndarë kërkesa të panumërta që të marrë urime, po urime s’po i vijnë. Telefonatat të shumta po statuse nuk postohen, urime nuk i vijnë. I kanë ngecur në fyt zgjedhjet dhe do i ngecin edhe më keq. Nuk i njohim këto zgjedhje.”- tha Berisha.
Ish kryeministri Sali Berisha është pyetur nga gazetarët nëse po e përdor partinë Demokratike për problemet e tij personale me drejtësinë. Berisha u shpreh se nuk po mbron veten, por po mbron votën. Sipas tij ky rezultat e nxit për të qëndruar më i motivuar në PD për të denoncuar këtë farsë zgjedhore.
“Unë po mbroj votën. Ky është mision për mua. Po mbroj votën e humbur. Ç’po përdor unë këtu? Po mbroj votën nga një shtet i shkrirë një me kartelët e drogës. Po mbroj votën nga një parti krimi e bërë një me shteti. Po mbroj votën nga një propagandë antidemokratike. Nga mëngjesi deri në darkë mbështeti narkodiktaturën dhe po përligjin farsën. A e kuptoni në ç’pozicion jam unë? Unë jam më I motivuar se kurrë. Në këto rrethana alternativa e vetme është të qëndrojmë me gjithë fuqinë. Shqiptarët s’kanë më votën.”- tha Berisha.
Gazetari e pyeti edhe për mungesën e demorkacisë brenda partisë u shpreh se edhe anëtarë të tjerë të PD-së kanë bindjen se zgjedhjet janë vjedhur.
“Kjo është parti e hapur, demokratike dhe një parti që nuk largohet kurrë nga analiza, shqyrtimi i të metave, gabimeve, ripërtëritja e përmirësimi. Por ka periudhën e vet. Unë nuk kam dy standarde, jam koherent në qëndrimet që mbaj. Bashkëpunëtorët e mi janë të bindur se ishte farsë.”- tha Berisha. Versus.al







