Kandidati për deputet në listën e hapur të qarkut të Lezhës, Viktor Tushaj ka bërë parashikimin e tij lidhur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në qarkun ku ai garon, atë të Lezhës. Në një intervistë të dhënë për “Çim Peka Live”, kandidati i koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” duket se është optimist që në këto zgjedhje nga 7 mandate që ka gjithsej Lezha, 5 do t’i marrë opozita.
Ndërsa për votën e Diasporës, shprehu optimizimin se nga rreth 15 mijë vota të mbërritura në Shqipëri, më shumë se 70-80% do të jenë për opozitën. Gjithashtu ka zbuluar se shumë emigrantë i kanë konfirmuar se do të vijnë personalisht për të votuar në Shqipëri më 11 maj.
PJESË NGA INTERVISTA:
Lezha ka 7 mandate, në vitin 2021, në bazë të numrit të votave ne kemi 5:2. Ne po punojmë shumë dhe në 2021 nuk kishte këtë kompaktësi që ka tani dhe as këtë mllef që ka elektorati. Nuk e kishin gjithë këtë mllef dhe urrejte për mënyrën e keqe të qeverisjes. Unë kam bindjen që ato shifra e vitit 2021 patjetër që do të jenë dhe do të jenë shumë solid në zgjedhjet e 11 majit. Unë e shoh rezultatin dhe po punojmë fuqishëm për të realizuar...Vota e diasporës? Kemi një bilanc sepse kemi punuar për këtë. Ne kemi njerëzit tanë kudo. Fati i keq i "Rilindjes" është që në këto 12 vite ka një hemoragji dhe askush nuk është i kënaqur se ka ikur dhe ka lënë vendin e vetë. Të lësh Lezhën, Mirditën dhe Kurbinin dhe të ikësh në Greqi të mbledhësh ullinj, të ikësh në Itali dhe të punosh në ndërtim është e tmerrshme dhe ti pretendon që do t'u marrësh vota. Janë rreth 15 mijë votues të regjistruar në Lezhë, por me gjithë lodhjen e jashtëzakonshme që kanë bërë strukturat të veçanta për t'i demoralizuar për këtë regjistrim, janë me qindra dhe mijëra të tjerë që duan të vijnë dhe të shprehin vullnetin e tyre me 11 maj. Edhe këto që janë regjistruar, unë jam i bindur se mbi 70-80% janë për opozitën dhe Shqipërinë Madhështore.








