
Pas mbledhjes së Asamblesë ku njoftoi përbërjen e ekipit të drejtuesve elektoralë dhe mbledhjes së Kryesisë së re, kryeministri Edi Rama do të mbledhë edhe deputetët socialistë.
Këtë herë, mbledhja do të zhvillohet në Elbasan, ditën e premte. Fokusi i mbledhjes do të jetë tek zhvillimet aktuale parlamentare dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Për mbledhjen që do të zhvillohet në Elbasan, kreu i grupit parlamentar Niko Peleshi u shpreh se do të ketë mundësi të deputetëve të shprehen mbi pikëpamjet e tyre lidhur me sesionin e ri parlamentar që nisi në shtator.
“Takimi bëhet në të mirë të punës”- tha Peleshi.
Të dielën, Rama njoftoi në Asamblenë e PS listën me drejtuesit e qarkut duke surprizuar jo pak me caktimin e 3 drejtuesve për qarkun e Tiranës dhe lënien jashtë të Damian Gjiknurit i cili deri së fundmi ishte sekretar i Përgjithshëm i PS dhe drejtues politik për qarkun e Elbasanit.
Në mbledhjen që zhvilloi mbrëmjen e djeshme me kryesinë, Rama njoftoi edhe hapat e reja të ndërmarra për zëvendësimin e figurave të vjetra, ku u bëri thirrje të rinjve të aplikojnë në platformën ‘Deputeti që duam’ dhe të konkurrojnë për të qenë ligjvënës në parlamentin shqiptar.
Situata politike duket më e nxehtë se kurrë tanimë që të dyja partitë kryesore politike kanë bërë publike listat e drejtuesve të tyre në qarqe me qëllim maksimizimin e rezultatit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Versus.al








