Duke komentuar paketën e propozuar nga grupi i punës mbi paketën e re ligjore për mbrojtjen e territorit, Rama tha se nuk ishte dakord që dënimi për ata që ndërtojnë pa leje në zona të mbrojtura dhe atyre që vendosin zjarre, të jetë i njëjtë. Kreu i qeverisë pati të njëjtin qëndrim si disa javë më parë duke propozuar që në kodin penal zjarrvënia të jetë e njësuar me veprën penale të vrasjes.
“Pa u zgjatur, duke filluar me një kundërshti me çfarë u paraqit, por në këtë rast opinion im është se dënimet për zjarrvënësit duhet të jenë shumë më të rënda se ato për ndërtimet pa leje. Nuk mund të dënohet vendosja e një zjarri si në Gramsh 3 deri në 8 vjet dhe një ndërtim i paligjshëm në një zonë pylli të mbrojtur 5 deri në 10 vite. Ndërtimin e paligjshëm mund ta prishësh, kurse rigjenerimin e pyjeve duhen vite të tëra për ta bërë. Besoj se duhet riparë dhe kam bindjen që zjarrvënësit duhen trajtuar si vrasës dhe zjarrvënia e qëllimshme duhet të ndëshkohet njësoj si vrasja. Në kushtet kur trashëgimia e shumë brezave shuhet brenda 2 apo 3 netësh dhe bashkë me pyllin digjet edhe shtëpia, kjo është tamam vrasje me paramendim”- u shpreh Rama. Versus.al







