
Kryetari i komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsi ka patur një debat ditën e sotme me kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas raportit të përpiluar nga institucioni që kërkonte shkarkimin e drejtoreshës së Buxhetit, Mimoza Dhëmbi nga posti që mbante për shkak të disa shkeljeve të përcaktuara në raportin që bën fjalë për rikonstruksionin e shkollës profesionale “Herman Gmeiner”, në pronësi të Shoqatës “SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqiptarë”. Fondi për rikonstruksionin e së cilës kap vlerën e 300 mijë eurove që kanë kaluar nga buxheti i shtetit.
Shalsi e cilësoi raportin e KLSH si “skandaloz” pasi aty kërkohej edhe shkarkimi nga posti i 4 zyrtarëve të tjerë ndërsa tha se nuk mund të ndodhte që për një raport të tillë të mos kishte një ballafaqim mes Dhëmbit dhe KLSH për këtë pretendim pasi drejtoresha do të raportonte për punën e saj në komision.
Pjesë nga debati në komision:
Shalsi: Moza Dhëmbi nuk është një person dosido prandaj e kemi ftuar në komision për shkak të asaj që ajo përfaqëson. Në dijeninë tonë nuk ka precedent të tillë nga KLSH për një punonjëse me një formulim të tillë. Dua të siguroj ty, stafin dhe KLSH që nuk ka kurfarrë paragjykimi në këtë proces.
Arben Shehu: Kolegëve iu vjen keq edhe për zonjën Dhëmbi, për pozitën në të cilën ndodhet sepse është zyrtare e këtij shteti. Nuk do doja ta shihja në këtë pozitë.
Shalsi: Nuk besoj se shqetësohet më shumë sesa ky paragraf të cilin unë në cilësinë e kryetarit të komisionit e konsiderova skandaloz. Po personi në fjalë si do jetë nxjerrë kur ka lexuar një formulim të tillë pas kaq e kaq vitesh? Ajo është me eksperiencë nuk besoj se vendoset në siklet. Zonja Dhëmbi mirëserdhe në komision, sot ke një status tjetër që nuk do ta donim.
Kjo nuk është hera e parë që Shalsi përfshihet në debat me kreun e KLSH Arben Shehu pasi në një seancë të mëparshme i kërkoi llogari pse skandali me akulloret që kishin lëndë kancerogjene u publikua tani dhe jo më herët. Versus.al







