Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pronat e Fation Muratit i cili është në kërkim për një sërë veprash penale.
I njohur si kundërshtari i Ervis Martinajt, Murati, me anë të pasurisë të krijuar nga veprimtaria e kundraligjshme e vjedhjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike të zhvilluar në Itali, për periudhën 2014-2015, ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, duke i transferuar ato në emër të familjarëve të tij (nënës dhe vëllezerve) me qëllim mbulimin e origjinës së tyre dhe për të shmangur çdo pasojë juridike të mëtejshme mbi këto prona.
Njësi, kati nëntokë në objekt 6 katësh, sipërfaqe 317 m2, adresë Albanopoli, Tiranë në pronësi të nënës;
automjet Citroen, automjet Mercedes Benz dhe automjet Daimler.
Fation Murati është një emër i njohur për policinë e Tiranës. Në tetor të vitit 2023 ai u arrestua nga policia pasi ishte shpallur në kërkim se zotëronte një arsenal armësh të kapura nga uniformat blu në korrik të atij viti.
32-vjeçari Murati ishte shpallur në kërkim nga Policia sepse efektivët kishin gjetur gjurmët e tij të gishtërinjve në kutinë e një arme.
Gjithashtu Murati ka qenë një ndër personat që është kërkuar nga Prokuroria Kurbin për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë, ku mbetën të vrarë tre të rinjtë Brilant Martinaj, (nipi i Ervis Martinajt) Besmir Hoxha dhe Dikler Vata, për shkak të dyshimeve se mendohej se ka qenë një nga organizatorët e atentatit.
Ndërsa më 12 mars 2023 në ambientet e lokalit të tij u krye një atentat mafioz ku mbeti e vrarë banakierja e lokalit Mimoza Paja, 58 vjeç, si dhe u plagosën pesë persona të tjerë mes tyre edhe një e mitur 10-vjeçare (mbesa e viktimës.)
Në shënjestër dyshohet se ka qenë Murati, i cili ndodhej në “arrest shtëpie”.
Në botën e sportit e njohin mirë. Ai ka qenë boksier profesionist. Madje ka garuar për titullin kampion bote në Federatën IBF Junior kundër Francesco Versaçit.
Asokohe ai jetonte në Gjermani dhe në atë përballje do të shkonte pa asnjë humbje. Murati ka nisur karrierën si boksier profesionist në vitin 2008 në Mynih të Gjermanisë.
Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq të pandehurin, shtetasin F.M. për veprën penale të ‘Pastrim të produkteve të veprës penale apo përfshirjes në veprimtari kriminale’ parashikuar nga neni 287/a i Kodit Penal.
Nga tërësia e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për procedimin penal nr.2600/2018, rezultoi e provuar se, ky shtetas, me anë të pasurisë (para cash) të krijuar nga veprimtaria e kundraligjshme e vjedhjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike të zhvilluar në Itali, për periudhën 2014-2015, ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, duke i transferuar ato në emër të familjarëve të tij (nënës dhe vëllezerve) me qëllim mbulimin e origjinës së tyre dhe për të shmangur çdo pasojë juridike të mëtejshme mbi këto prona.
Konkretisht;
-Njësi, kati nëntokë në objekt 6 katësh, sipërfaqe 317 m2, adresë Albanopoli, Tiranë në pronësi të nënës;
- Automjet Citroen;
-Automjet Mercedes Benz; dhe
-Automjet Daimler.
Këto pasuri në emër të nënës dhe 3 automjetet në emër të subjektit dhe vëllezërve nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme të realizuara prej tyre.
Sa më sipër, nga hetimet paraprake rezulton e provuar se ka të dhëna të mjaftueshme që të krijojnë bindjen se i pandehuri F.M., ka konsumuar plotësisht elementët e figures së veprës penale të parashikuar nga neni 287/a i K.Penal. Në materialin referues thuhej se shtetasi F.M. në bashkëpunim me gjashtë persona të tjerë, vepronin si pjesë e një organizate kriminale, të arrestuar nga policia italiane, fillimisht me tendencë vjedhje dhe më pas e kanë zgjeruar aktivitetin e tyre kriminal, duke përfshirë edhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Shtetasi F.M. është aktualisht i kërkuar në nivel kombëtar për evazion në vitin 2015, ‘pranimin e mallrave të vjedhura’, ‘posedim abuziv të armëve’, ‘Pjesëmarrjes në krime’ dhe për ‘Trafikim të lëndëve narkotike’./Versus.al








