Bandat po përdorin rrjetet sociale për të gjetur punëtorë për të kultivuar kanabis dhe po bëjnë oferta për punëtorët e fermave, duke ju premtuar se do të marrin deri në 30 për qind të fitimeve nga shitja e tyre.
Për bossët e drogës stimujt financiarë duket se janë bërë të nevojshëm për shkak të rënies të numrit të shqiptarëve që hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe rritjes së numrit të shqiptarëve që burgosen për kultivim kanabisi ose deportohen pas mbërritjes në Britani.
Duke komentuar zbulimet e Telegrafit këtë fundjavë, Angela Eagle, Ministrja e Sigurisë Kufitare, tha: “Është tronditëse që bandat kriminale përdorin mediat sociale për t’i joshur njerëzit të punojnë në kushte të neveritshme dhe të kultivojnë drogë si kanabisi me premtime të rreme. Qoftë online apo në rrugët tona, nuk duhet të ketë vend për t’u fshehur për ata që shkelin ligjin. Ne jemi duke rritur aktivitetin e zbatimit për të bërë më shumë arrestime, duke rritur ndjekjet penale jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por me partnerë në të gjithë Europë, dhe duke siguruar që të gjithë partnerët tanë përkatës po punojnë krah për krah nën komandën tonë të re të sigurisë kufitare.”
Bandat shqiptare kanë arritur të dominojnë tregun vendas të kanabisit, ku bimët rriten në shtëpi apo ambiente industriale të lira, duke përdorur teknologjinë hidroponike të importuar nga fermat e vendlindjes së tyre.
“Krimi i organizuar shqiptar po ofron përqindje në prodhimin e drogës për bashkatdhetarët e tyre që të punojnë si fermerë kanabisi”, tha një ekspert shqiptar i zbatimit të ligjit. “Këto hapa të pazakontë janë të lidhura me mungesën e njerëzve të gatshëm të mbyllen në shtëpi për të kultivuar kanabis.
Një reklamë në shqip, e parë nga The Telegraph, thoshte: “Unë jam pronar i një shtëpie me kanabis. Unë bisedova me punëtorin tim dhe më pas gjithçka shkoi keq. Tani po i jap këtij punonjësi 30 për qind të fitimit të bërë në atë shtëpi pa shpenzime jetese”.
Një tjetër tha: “Kërkojmë punëtorë për shtëpitë me bar. Nëse kujdeseni për 80 bimë, merrni 25 për qind të produktit dhe ne paguajmë shpenzimet”.
Një i tretë ofroi një pagë prej 9,000 £ për punë tre mujore brenda një shtëpie kanabisi, duke përfshirë rritjen e bimëve, korrjen dhe paketimin.
Në dekadën e kaluar, ata kanë spostuar vietnamezët si furnizuesit kryesorë të kanabisit për përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar.







