Azgan Mërnica i ka shpëtuar burgimit të përjetshëm, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur ta dënojë me 35 vite heqje lirie për vrasjen e efektivit të forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia.
Më herët, Gjykata e Fierit e kishte dënuar Mërnicën me burgim të përjetshëm, por Apeli vendosi ndryshimin e vendimit, duke e ulur dënimin në 35 vite burg.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz.
Konflikti që çoi në përdorimin e armës nisi pasi polici i “Shqiponjave” ndaloi Mërnicën për t’i tërhequr vëmendjen pse ishte futur në kthesë me shpejtësi.
Ai ndaloi më pas mjetin e tij, iu afrua efektivit të policisë, i cili ishte i veshur me uniformën e punës dhe ishte i identifikueshëm si pjesë e strukturës së policisë, dhe e qëlloi në fytyrë duke e lënë të vdekur në vend.
Pas ngjarjes, autori u arratis dhe vetëm pas 3 ditësh kërkime, pas negociatave të policisë dhe familjarëve të tij, pranoi të vetëdorëzohej.
Novruz Cenalia u vra në moshën 28-vjeçare./Versus.al

