Ditën e nesërme në Bujanoc dhe Preshevë pritet të mbahen votimet për këshillat komunalë të komunave me shumicë shqiptare të popullsisë.
Një ditë para zgjedhjeve, Tirana zyrtare ka bërë thirrje për pjesëmarrje të shqiptarëve në zgjedhjen e këshillave komunalë. Ministri i Jashtëm i vendit, Igli Hasani ka përshëndetur pjesëmarrjen e partive shqiptare në zgjedhje dhe ka uruar që numri i qytetarëve që do të votojnë të jetë sa më i lartë.
“Nesër në Serbi votohet për këshillat komunalë të Bujanocit e Preshevës. Përshëndes pjesëmarrjen e partive shqiptare në zgjedhje dhe uroj që numri i votuesve të jetë sa më i lartë.
Vetëm me pjesëmarrje shprehet vullneti politik qytetar dhe ndërtohet e ardhmja që dëshirojmë. Së bashku për demokracinë dhe integrimin e përbashkët europian. Suksese!”, ka shkruar Hasani.
Ndërkohë, komuna e Preshevës kryesohet aktualisht nga një "Autoritet i Përkohshëm" pas shkarkimit të Shqiprim Arifit nga posti i kryetarit me urdhër të qeverisë serbe. Në intervistat e dhëna më pas për mediat, Arifi tha se shkak për shkarkimin e tij ishte bërë ngritja e flamurit shqiptar në komunën që drejtonte dhe politikat që ndiqte. Versus.al







