Situata epidemiologjike në vend është rënduar si pasojë e virozave të shumta që qarkullojnë në këtë periudhë të vitit. Pothuajse në çdo familje ka një të prekur prej virozave. Në Institutin e Shëndetit Publik raportohen afro 10 mijë raste në javë me infeksione respiratore.
Sipas drejtoreshës së ISHP, Eugena Tomini, ende nuk është izoluar asnjë rast me virusin e gripit, ndonëse situata po mbahet nën monitorim.
"Ka një predominancë të virozave tek moshat 5 vjeç e lart”, tha Tomini për TCH.
Mes të tjerash, drejtoresha e Institutit të Shëndetit publik u ka bërë thirrje grupeve më në risk, siç janë të sëmurët kronikë apo të moshuarit të bëjnë vaksinën e gripit sa ende nuk është vërtetuar se ka hyrë në vendin tonë.
“E mira është të bëhet tani sa nuk jemi prekur në mënyrë që të krijojmë mbrojtje”, shtoi ajo.
Ndërkohë rreth 280 mijë doza të vaksinës anti-grip janë shpërndarë tashmë nëpër qendrat shëndetësore të vendit. Versus.al







