105 vjetori i Tiranës si kryeqytet, e gjen bashkinë pa kryetar të zgjedhur në krye të saj. Prej pasdites së djeshme, kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Mine Pezës nën akuzë se ka kryer korrupsion në 9 raste të ndryshme.
Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit i shkuan Veliajt në zyrën e bashkisë ku i lexuan masën e arrestit të formisur nga gjyqtari i posaçëm Erjon Bani. Më pas me një makinë private, kryebashkiaku u dërgua për në bllokun e sigurisë ku prej dje mbahet në paraburgim në pritje të seancës në GJKKO ku do i komunikohet masa e sigurisë.
Pas arrestimit të të shoqit, edhe Ajola Xoxa u kthye mbrëmjen e djeshme në Shqipëri ku menjëherë u shoqërua nga agjentë të BKH për të zbatuar masën “arrest shtëpie”.
Në njoftimin e dhënë prej SPAK lidhur me masat e sigurisë, bëhej me dije se Veliaj kishte konsumuar veprën e korrupsionit pasiv në 9 raste ku të përfshirë ishin edhe 5 biznesmenë ndaj të cilëve u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Hetimet zbuluan mekanizmin që Veliaj dhe bashkëshortja e tij kishin ndërtuar me qëllim marrjen e përfitimeve të parregullta që buronin nga fondet publike të bashkisë Tiranë.
OJF-të nën kontrollin e Xoxës, sipas SPAK kanë gjeneruar të ardhura deri në 1.1 milionë euro. Ndërsa shpenzimet e kryera prej Xoxës nëpërmjet blerjeve online për bizhuteri, rroba e mallra të shtrenjta, kapnin vlerën e mbi 800 mijë euro për një periudhë 4 vjeçare.
Ndërkaq biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha ndaj të cilëve me urdhër të SPAK u caktua masa “detyrim paraqitje” akuzohen se kanë korruptuar Veliajn dhe në këmbim kanë marrë favore dhe leje ndërtimi në Tiranë.
Pas arrestimit kryebashkiaku Veliaj reagoi nga qelia duke shpërthyer në fyerje ndaj prokurorit të posaçëm, Olsi Dado duke e etiketuar si “lunatic”, ndërsa tha se akuzat që rëndojnë ndaj tij nuk janë të vërteta. Akuza pati edhe ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, paçka se më herët në daljen e tij të parë nga SPAK i kishte konsideruar prokurorët e posaçëm si "kolegë". Tashmë pritet momenti kur Veliaj dhe të akuzuarit e tjerë të dalin para GJKKO ku do t’u konfirmohen masat e sigurisë. Versus.al







