AKTUALITET /

Akuzohet se pastronte paratë e klanit “Çopja”, arrestohet në Romë një prej vëllezërve Merkaj

Shkruar nga Versus
Akuzohet se pastronte paratë e klanit “Çopja”,
Foto: Vëllezërit Merkaj dhe në mes Franc Çopja (kreu i klanit Çopja)

Klajdi Merkaj është arrestuar  ditën e djeshme në Romë të Italisë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare nën akuzën e pastrimit të parave të pista të organizatës kriminale në Elbasan të njohur si “Klani Çopja”, drejtuar nga Franc e Hajdar Çopja.

Paralelisht me masat e arrestit, më herët Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e sekuestros për pasuritë e Arben Lamçes, Arjon Ormenaj, Klajdi Merkaj, Manjola Hysenaj, të shoqërisë “Elba Beton”, të “Hotel Demis”, të “Ish-Vilës Gjuta” etj.

Sekuestrot u vendosën pas operacionit të ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme më 31 korrik të koduar "Plumbi i Artë 2" me 33 masa arresti, por vetëm 11 prej tyre u ekzekutuan, duke ngritur kështu dyshime për dekonspirim operacioni nga radhët e policisë.

Klani i Çopjave u godit pas zbërthimit të përgjimeve në "Sky Ecc" ku Hajdar Çopja komunikonte dhe jepte urdhat për Talo Çelën dhe bandën e tij të grabitësve dhe vrasësve për të kryer masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë 3 persona. Akoma më shokuese ishin përgjimet e zbardhura mes Hajdar Çopjas flitej për planin e hedhjes në erë të qelisë së burgut ku mbahej Erion Alibej. Versus.al

Poll