Tiranë- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e bërë nga i shumëkërkuari Suel Çela i cili prej majit të vitit 2022 është në arrati nën dyshimin se ka porositur vrasjen e Elton Kilës dhe Lulzim Mashës, ngjarje të cilat mbetën në tentativë.
Kërkesa për rrëzimin e masës së sigurisë është dorëzuar nga avokatët e Suel Çelës.
Emri i tij u përmend në dëshminë e dhënë nga vrasësi me pagesë Nuredin Dumani i cili pasi u arrestua u kthye në të penduar të drejtësisë duke rrëfyer krimet ku kishte marrë pjesë dhe ato për të cilat kishte dijeni.
Së fundmi, një tjetër masë arresti u lëshua ndaj Suel Çelës në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë 2”, pasi në përgjimet e zbardhura në aplikacionin “Sky Ecc” provohej sesi Çela i njohur si Marjus Lula kishte arritur të shtrinte ndikimin e tij edhe në gjykatën e Elbasanit me ndërhyrje edhe në proceset gjyqësore të kundërshtarëve të tij.
Suel Çela shfaqet si i përfshirë në atentate dhe në trafik ndërkombëtar droge nga Amerika Latine. Përveç këtyre veprave penale, ai ndikonte tek gjyqtarët në mënyrë që kundërshtarët e tij të dënoheshin sa më ashpër nga drejtësia. Ndërsa për përfshirje në grupin e tij, SPAK lëshoi masa sigurie “detyrim paraqitje” për gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno të cilët dyshohet se të ndikuar nga Çela kanë publikuar lajme për kundërshtarët e tij. Versus.al







