AKTUALITET /

Apeli i GJKKO lë në burgim të përjetshëm Laert Haxhiun, Dumani: Dy persona u vranë pa shkak, shënjestra dikush tjetër

Vetë Laert Haxhiu nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore kur u la në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm.

Shkruar nga Versus

Apeli i GJKKO lë në burgim të përjetshëm Laert Haxhiun,

Tiranë- Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me burgim të përjetshëm të Laert Haxhiut. Ky i fundit akuzohet për ngjarjen e ndodhur në 2017-ën që njihet si “masakra e Lushnjës” ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha ndërsa u plagos Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Kërkesa e avokatit mbrojtës Detar Hysi ishte rigjykimi i çështjes nga një grup tjetër gjyqësor.

“I kërkoj gjykatës të vlerësojë me objektivitet ankimin tonë, duke bërë të mundur zbardhjen e të vërtetës. I kërkojmë gjykatës ndryshimin e vendimit të GJKKO për shpalljen fajtor të Laert Haxhiut dhe shpalljen e tij të pafajshëm, ose dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në të njëjtën gjykatë me tjetër trupë gjykuese”- tha Detar Hysi. 

Nga ana tjetër, kreu i SPAK Altin Dumani i cili ishte i pranishëm gjatë seancës gjyqësore kundërshtoi kërkesën e Hysit duke argumentuar se provat e tregojnë qartë se bëhet fjalë për një organizim të lartë. Ai tha se nuk kishte asnjë motiv për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, pasi shënjestra ishte Xhuljo Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreut të bandës së Lushnjës.

“Vendimi i Shkallës së Parë është i drejtë, ndaj duhet lënë në fuqi. Janë trajtuar si provat e prokurorisë ashtu edhe provat e kërkuara nga ana e mbrojtjes. Prokuroria i është referuar pamjeve filmike në pikën e karburantit, jo pamjeve të sjella nga babai i Zamir Latifit. Nuk ka vend për vërtetësinë e provës. Edhe për pamjet filmike janë pyetur dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja dhe nga akuza. Vrasja e Zamir Latifit dhe e Jurgen Hoxhës, nuk kishte asnjë motiv, por u bë për shkak se shënjestër ishte Xhuljo Shkurti, për shkak të konfliktit që Laert Haxhiu kishte me këtë të fundit. Ne sqarojmë se u provua ekzistenca e grupit të strukturuar kriminal. Mes Laert Haxhiut dhe Xhuljo Shkurtit ka patur konflikt që ka zgjatur ndër vite. Shkalla e organizimit është e lartë. Ata sigurojnë unformacion për hyrjen në Shqipëri të Xhuljo Shkurtit, sigurojnë armët e zjarrit etj”- tha Dumani.

Vetë Laert Haxhiu nuk ishte i pranishëm në seancë dhe as prokurorja e posaçme Doloreza Musabelliu e cila kishte një angazhim personal jashtë vendit. Në seancën e kaluar ajo pati përplasje me Haxhiun i cili kërkoi që ajo të mos merrej me çështjen e tij. I dënuëri pretendoi se SPAK nuk kishte bërë hetime për ngjarjen për të cilën akuzohej, pretendim që u rrëzua nga kreu i SPAK, Altin Dumani i cili tha se provat janë gjetur tek pika e karburantit. Versus.al

Poll