Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e bërë nga Ervina Gjana për kthimin e 8 celularëve të sekuestruar gjatë kontrolleve të SPAK në banesën e saj gjatë muajit të kaluar në kuadër të hetimeve për skandalin e grupit kriminal të AKSHI-t.
Gjana e cila mban postin e drejtoreshës së krimit kibernetik, rezulton të jetë bashkëshortja e Renato Hristiç njërit prej shoqëruesve të biznesmenit të shpallur në kërkim, Ergys Agasi i cili akuzohet nga SPAK si kreu i grupit kriminal ku bënte pjesë edhe drejtoresha e pezulluar e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Skandali i AKSHI-t ka shokuar opinionin publik për shkak të përfshirjes në grup kriminal të Karçanajt, e cila supozohet të ishte gardiania kryesore e të dhënave dhe e sigurisë digjitale të shtetasve shqiptarë. Detajet nga dosja tregojnë se Karçanaj takohej me Agasin në zyrën e këtij të fundit.
SPAK po heton 12 procedura tenderimi në të cilat kompania e Ergys Agasit "EA Solution" dyshohet se ka përfituar dhjetëra miliona euro të taksapaguesve shqiptarë pa kryer asnjë punë. I shpallur në kërkim është edhe biznesmeni Ermal Beqiri i cili së bashku me Agasin dhe 'bekimin' e zv.drejtorit të policisë të Tiranës, Erion Ismaili, kanë marrë peng biznesmenin Gerond Meçe për t'i bërë presion të tërhiqej nga ankimet që kishte bërë për tenderat e AKSHI-t. Versus.al



