Një hetim i gazetës britanike Daily Mail ka zbuluar se trafikantët shqiptarë të drogës në Mbretërinë e Bashkuar po shesin celularë të lidhur me baza të qëndrueshme klientësh që blejnë kokainë, me vlera që arrijnë deri në 300 mijë paund për një numër të vetëm telefoni.
Sipas raportimit, bandat kriminale kanë ndërtuar të ashtuquajturat “linja” numra telefoni përmes të cilëve merren porosi të rregullta droge, aq fitimprurëse, sa vetë pajisja shitet si aset kriminal. Këta telefona reklamohen hapur në rrjete sociale si TikTok, kryesisht për kriminelë të tjerë shqiptarë që veprojnë në Britani dhe kërkojnë të përfitojnë nga një fluks i gatshëm klientësh.
Në disa raste, trafikantët u ofrojnë blerësve potencialë mundësinë që ta “testojnë” numrin për një ose dy javë, përpara se të kryejnë pagesën, kundrejt një depozite.
Daily Mail identifikoi një llogari në TikTok me emrin “Albanian Postcode”, e cila ofronte për shitje një linjë telefonike në zonën Brighton & Hove për 300 mijë paund. Sipas reklamës, numri merrte porosi deri në 900 gram kokainë në javë dhe funksiononte 24 orë në ditë, me shpërndarje përmes taksive.
Një tjetër llogari, “Albanian Postcode1”, reklamonte një numër telefoni në Barking dhe Dagenham, në lindje të Londrës, që merrte mes 350 dhe 400 porosi kokaine çdo javë. Çmimi i kërkuar ishte 220 mijë paund, me mundësi uljeje.
Reklama të ngjashme janë identifikuar edhe për zona si Mançesteri, Kenti, Eseksi, Southamptoni, Midlands dhe Londra, ndërsa disa llogari përdoren edhe për rekrutimin e trafikantëve të rinj shqiptarë në Britani.
Një ish-trafikant shqiptar, sot shofer taksie dhe i kthyer në Tiranë, ka treguar për Daily Mail se shpërndante deri në 30 gramë kokainë në ditë në Birmingham, duke punuar për një “linjë” që kontrollohej nga një drejtues shqiptar. Ai deklaron se paguhej rreth 1.700 paund në javë, pa taksa, ndërsa karburanti i mbulohej nga rrjeti kriminal.
Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani ka deklaruar se grupet kriminale shqiptare kontrabandojnë çdo vit qindra miliona paund të përfituara nga aktivitetet e paligjshme, duke i transferuar jashtë Mbretërisë së Bashkuar. Sipas autoriteteve, këto grupe janë shumë të organizuara dhe kanë lidhje të forta ndërkombëtare, përfshirë Amerikën e Jugut.
Gjatë muajve të fundit, disa trafikantë shqiptarë janë dënuar me vite të gjata burgimi në Britani, pas sekuestrimit të sasive të mëdha të kokainës dhe kanabisit, duke konfirmuar shtrirjen dhe fuqinë e rrjeteve kriminale që veprojnë nën drejtimin e tyre.

