
Flutura nga Prishtina nuk e kishte imagjinuar kurrë se jeta e vajzës së saj do të merrte një rrugë aq të rrezikshme.
Për vite me radhë, gjithçka dukej normale një vajzë e re që shkonte në shkollë, bisedonte me shoqet, ëndërronte për të ardhmen. Por brenda saj, diçka po ndryshonte ngadalë dhe fshehurazi.
Vajza filloi të përdorte substanca narkotike në moshën 16-vjeçare... dhe Flutura nuk e kuptoi menjëherë.
“Momenti kur e kuptova ka qenë sikur të ma nxirrnin zemrën nga vendi”, kujton ajo për Radion Evropa e Lirë.
Flutura përpiqej ta këshillonte vajzën, por ndjehej e pafuqishme. “Vetë kam vuajtur si kafshë”, thotë ajo.
Vajza e kishte fshehur mirë përdorimin e drogës - me gënjeshtra që i bënin prindërit t’i humbnin gjurmët. Ditët kalonin, dhe Flutura filloi të kuptonte se diçka nuk shkonte siç duhej. Vetëm kur vajza mbushi 18 vjet, e vërteta shpërtheu para saj.
“Kemi biseduar shumë. Është një histori e gjatë në familjen tonë”, thotë ajo, pa dashur ta kujtojë shumë atë kohë.
Vajza e saj, tani në mes të 20-tave, kishte ndërprerë përdorimin e drogës për një periudhë, por më pas e rifilloi.
“Kemi besuar se ishte vetëdijesuar, kishte filluar të mësonte, të punonte dhe të ndërtonte jetën e vet. Por, më vonë, për të përballuar dy punë - siç na thoshte - ajo nisi të përdorte kokainë, duke humbur gjithçka që kishte krijuar”, rrëfen Flutura.
Sipas saj, një nga faktorët kryesorë që e shtynë fëmijën në këtë rrugë, ishte ndikimi i shoqërisë.
“Ajo u njoh me një shok që kishte filluar të konsumonte drogë që nga mosha 10-vjeçare. Ky shok ndikoi shumë në jetën e saj, duke e kushtëzuar dhe kontrolluar në mënyrë të dukshme. Për vite me radhë, jeta e fëmijës sonë ishte në duart e tij”, thotë kjo nënë teksa sheh vajzën në gjendje të rënduar.
Historia e Fluturës nuk është një rast i izoluar.
Një dukuri në rritje tek fëmijët dhe të rinjtë
Sot, edhe fëmijë të moshës 10-15 vjeç bien pre e përdorimit të substancave narkotike.
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Faton Kutllovci, tregon se, më herët, nuk ka pasur përhapje të madhe të përdorimit të drogës te të rinjtë.
Sipas një vlerësimi institucional, mosha mesatare e përdoruesve të drogës në Kosovë është rreth 16 vjeç - një rënie nga 21.4 vjeç që ishte më herët.
Safet Blakaj, nga Qendra për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë “Labirint” në Kosovë, shpjegon më shumë:
“Kanabisi është i përhapur në gjithë territorin. Neve na shqetëson tani përdorimi i kokainës, për arsye se ka shënuar rritje të shpejtë në vitet e fundit”.
Sipas Blakajt, mosha e përdoruesve ka rënë dukshëm dhe “14-17-vjeçarët janë më të rrezikuarit”.
“Në organizatën tonë trajtohen përdoruesit e moshave 14,15,16,17 vjeç... Moshat më të ulëta i kemi hasur në terren, janë evidente, por nuk janë në programet tona”, thotë Blakaj.
Përhapja e gjerë
Raportet e organizatave joqeveritare tregojnë se përdorimi i drogës është më i përhapur në Prishtinë, pastaj Pejë, Gjakovë, Ferizaj.
Në këto qytete, rritja e rasteve të raportuara te të rinjtë po bëhet një shqetësim gjithnjë e më serioz.
Mjekët e Spitalit të Gjakovës thonë se dita-ditës po rritet numri i personave që kërkojnë ndihmë.
“Fatkeqësisht, edhe të rinjtë kanë filluar të përdorin substanca narkotike, kryesisht marihuanë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zef Komoni, udhëheqës i Departamentit të Psikiatrisë në Spitalin e Gjakovës.
“Nuk mund të flasim saktë për shifra, sepse shumica nuk kërkojnë ndihmë derisa problemi të bëhet i madh. Por, nga konfiskimet e policisë dhe të dhënat që i kemi, duket qartë se numri po rritet - jo vetëm në shkollat e mesme, por edhe në shkollat fillore, si dhe në fshatra”, shpjegon Komoni.
Aktualisht, rreth 40 persona të moshave të ndryshme që përdorin substanca narkotike, marrin trajtim të përditshëm me metadon në spitalin e Gjakovës.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, në këtë qytet u identifikuan 25 raste të reja të përdoruesve të drogës.
“Përdorimi më i madh i marihuanës shihet në Gjakovë, për shkak të pozicionit gjeografik dhe faktit se qyteti shërben si pikë transiti për furnizim me marihuanë për të gjithë Kosovën”, shton Komoni.
Edhe në spitalin e përgjithshëm në Pejë, aktualisht, janë duke u trajtuar 25-30 pacientë për përdorim të drogave.
Sipas zyrtarëve atje, numri i tyre ka mbetur i njëjtë që nga viti 2024 - pa ndonjë rritje të theksuar.
Në Ferizaj, situata duket ndryshe: ka raportime për përdorues drogash, por asnjë rast nuk është duke u trajtuar në spital.
“Për vite të tëra nuk kemi pasur raste që kërkojnë trajtim në spitalin tonë”, thotë Minire Beqiri, drejtoreshë e institucionit.
Në Gjilan, po ashtu, rastet janë në rritje, ndërsa në Mitrovicë të Jugut, vitin e kaluar, u regjistruan dhjetëra raste të pacientëve që kërkuan ndihmë mjekësore, si pasojë e abuzimit me substanca psikoaktive. REL

