
Në Bashkinë e Fierit kanë nisur dorëheqjet në radhët e drejtorëve, pas një urdhri të dhënë nga kryeministri Edi Rama dy ditë më parë.
Të gjithë drejtuesit që janë emëruar para muajit janar kanë filluar të dorëzojnë dorëheqjet pranë kryetarit të bashkisë, Armando Subashi, ndërsa ata të emëruar pas këtij muaji përjashtohen nga vendimi.
Burime për media bëjnë me dije se në një mbledhje të zhvilluar me drejtues lokalë, kryeministri Rama ka kërkuar qartësisht dorëheqjet, duke theksuar nevojën për energji dhe figura të reja në administratë, në funksion të reformimit dhe rritjes së efikasitetit të punës në nivel vendor.
Ndërkohë që nënkryetarët Baso Bregu dhe Suela Prifti nuk kanë dorëzuar ende dorëheqjet, burime konfidenciale bëjnë të ditur se tashmë është përzgjedhur edhe emri i mundshëm që pritet të marrë postin e njërit prej tyre.
Bëhet fjalë për Nustret Avdullën, ish-deputet i PDIU-së, i cili në vitin 2021 iu bashkua Partisë Socialiste.
Lëvizjet në Bashkinë e Fierit janë pjesë e një turi të kryeministrit Rama në bashkitë e vendit, i cili ka nisur me Vlorën, ka vijuar me Fierin dhe Durrësin, duke sjellë jo vetëm llogaridhënie politike, por edhe ndryshime konkrete në strukturat drejtuese të administratës vendore./Versus.al







