
Tiranë- Apeli i Gjykatës së Posaçme, ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest shtëpie" për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, të dy nën hetim për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Ish-kryeministri po hetohet për korrupsion nën dyshimin se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi i cili duke përfaqësuar familjet e disa prej ish-pronarëve të kompleksit, ka përfituar pronën, veprime të cilat sipas SPAK bien në kundërshtim me ligjin. Avokatët e Berishës kërkuan sot informacion nga SPAK lidhur me hetimet ndaj Berishës.
Pas vendimit të GJKKO, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha se ndaj ish-kryeministrit po kryhen hetime për gjëra që nuk kanë lidhje mev veprën e korrupsionit siç SPAK ka pretenduar lidhur me çështjen e privatizimit t ëish-kompleksit “Partizani”. Ndërsa tha se mungesa e Berishës në Kuvend nuk sjell djegien e mandatit të tij për shkak të rrethanave në të cilat ndodhet kreu i PD.
“Po kryhen hetime që nuk kanë lidhje me veprën penale të korrupsionit. Hajde shpjegojeni tani se çfarë është kjo estradë juridike. Berishës ia ka dhënë mandatin populli. Ai nuk mungon në Kuvend për shkak të dëshirës së tij. Ne e kemi bërë kërkesën në gjykatë, në SPAK dhe Gjykatë të Lartë. Mungesa e Berishës nuk është për fajin e tij”- u shpreh Gjokutaj.
Vendimi i Apelit, vjen pa kaluar 24 orë nga vendimi i Home Office për ta lënë në fuqi shpalljen non-grata të Berishës në Britaninë e Madhe.
Sali Berisha mbahet në arrest shtëpiak që prej dhjetorit të vitit të kaluar. Që prej asaj kohe, kryedemokrati ka mbajtur fjalimet e tij të përnatshme nga ballkoni i banesës së tij në Tiranë, poshtë të cilës mblidhen vazhdimisht mbështetësit e tij. Versus.al







