AKTUALITET /

Dyshohet se u rrëmbye dhe më pas u vra nga miku i tij, policia “kreh” periferinë e Tiranës për gjetjen e trupit të Eglantin Koçit dhe autorin e krimit

Pas kontrolleve të zhvilluara në Krrabë, Elbasan dhe Librazhd, kërkimet janë fokusuar në zonën e Qafëmollës dhe në Pëllumbas, vende që sipas hetuesve njiheshin mirë dhe frekuentoheshin shpesh nga autori i dyshuar, 41-vjeçari Armand Shakaj.

Shkruar nga Versus

Dyshohet se u rrëmbye dhe më pas u vra nga miku i tij, policia

Policia e Tiranës ka intensifikuar përpjekjet për gjetjen e trupit të Eglant Koçit, duke angazhuar tashmë edhe homologët nga Kosova në operacionin e kërkimit. Me pajisje të specializuara dhe teknologji të avancuar, efektivët kosovarë do të asistojnë në kontrollin e zonave ku dyshohet se mund të gjenden gjurmë që lidhen me ngjarjen.

Pas kontrolleve të zhvilluara në Krrabë, Elbasan dhe Librazhd, kërkimet janë fokusuar në zonën e Qafëmollës dhe në Pëllumbas, vende që sipas hetuesve njiheshin mirë dhe frekuentoheshin shpesh nga autori i dyshuar, 41-vjeçari Armand Shakaj.

Burime policore bëjnë me dije se ekzistojnë dyshime që automjeti i Shakajt të jetë parë në zonën e Pëllumbasit pas ngjarjes. Ai u identifikua që në ditët e para të hetimit si një nga personat kyç, pas denoncimit të familjarëve të Eglant Koçit.

Sipas hetimeve, analiza e tabulateve telefonike tregoi se personi i fundit që kishte komunikuar me Koçin ishte pikërisht Shakaj. I thirrur për t’u marrë në pyetje në Komisariatin nr. 2, ai deklaroi se nuk kishte dijeni për fatin e mikut të tij dhe se ishte i shqetësuar për zhdukjen e tij.

Burime pranë hetimit bëjnë të ditur se pas daljes nga komisariati, Shakaj është përballur me familjarë dhe të afërm të Koçit, të cilëve u kishte shprehur shqetësimin e tij dhe u kishte kërkuar që ta njoftonin nëse do të kishin lajme për të.

Megjithatë, pavarësisht se u mbajt nën vëzhgim nga policia, ai më pas humbi gjurmët. Kur u kontaktua për t’u paraqitur sërish për dëshmi, Shakaj pretendoi se ndodhej në spital, një deklaratë që sipas hetuesve rezultoi e pavërtetë.

Nga analizimi i kamerave të sigurisë dhe provave të tjera të mbledhura, hetuesit arritën në përfundimin se Shakaj dyshohet se kishte rrëmbyer Eglant Koçin. Ndërkohë, verifikimet në sistemin TIMS tregojnë se ai nuk ka dalë jashtë territorit shqiptar, çka ka forcuar dyshimet se mund të fshihet në zonën e Tiranës ose në rrethinat e saj.

Operacioni i kërkimit dhe hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe lokalizimin e autorit të dyshuar.Versus.al

Poll