AKTUALITET /

Defekt i rëndë në helikopterin e ministrisë së Brendshme të Malit të Zi në Bjeshkët e Nemuna, piloti shpëton 7 persona

Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesionalizmit të pilotit, mjeti ajror u mbajt nën kontroll dhe u ul në mënyrë emergjente pranë rrugës lokale Guci–Grebajë

Shkruar nga Versus

Defekt i rëndë në helikopterin e ministrisë së

Një incident i rëndë ajror është regjistruar gjatë një operacioni shpëtimi në zonën e Bjeshkëve të Nemuna, ku një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi ka pësuar një defekt serioz teknik gjatë fluturimit.

Sipas informacioneve paraprake, helikopteri tip Bell 212 ka humbur fuqinë në të dy motorët gjatë misionit, duke vënë në rrezik jetën e personave që ndodheshin në bord. Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesionalizmit të pilotit, mjeti ajror u mbajt nën kontroll dhe u ul në mënyrë emergjente pranë rrugës lokale Guci–Grebajë.

Burime të informuara bëjnë me dije se ulja u realizua përmes manovrës së autorotacionit, një procedurë emergjente që përdoret në rastet kur helikopteri humbet fuqinë e motorëve. Manovra konsiderohet ndër më të vështirat në aviacion dhe kërkon përgatitje të lartë profesionale nga ekuipazhi.

Falë veprimit të pilotit dhe koordinimit të ekipit, u shmang një tragjedi e mundshme. Të shtatë personat që ndodheshin në bord shpëtuan pa pasoja të rënda. Në helikopter ndodheshin tre anëtarë të ekuipazhit dhe katër pjesëtarë të Shërbimit Malor të Shpëtimit.

Ngjarja po cilësohet si një shembull i jashtëzakonshëm i gjakftohtësisë dhe profesionalizmit në kushte kritike, ndërsa autoritetet malazeze pritet të nisin hetimet për të zbardhur shkaqet e defektit teknik që rrezikoi misionin e shpëtimit.Versus.al

Poll