
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Marsel Varka, Elsaed Maqinaj, Fabian Zako dhe Kristaq Biba, të arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Rrjeti”, i zhvilluar kundër trafikut të armëve në Tiranë.
Sipas hetimeve, të arrestuarit dyshohet se ishin pjesë e një grupi kriminal që merrej me shitjen e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municioneve në zona të ndryshme të kryeqytetit. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim edhe Kevin Vila dhe Bledar Avdillari.
Gjatë operacionit, uniformat blu sekuestruan 4 pistoleta dhe 3 armë automatike kallashnikov, me vlera që varionin nga 1,500 deri në 2,500 euro, si dhe municione, telefona celularë dhe sende të tjera që konsiderohen prova me rëndësi për hetimin.
Më herët, në kuadër të të njëjtit operacion, ishin arrestuar edhe Donati Jaku, Florian Gjeta, Urim Meta, Ligor Mehmeti dhe Klodian Mustafa.
Sipas Policisë, grupi i goditur është pjesë e një hetimi më të gjerë që lidhet me trafikun e armëve, të cilat siguroheshin kryesisht nga qytete të tjera të vendit dhe më pas shiteshin në zona të ndryshme të Tiranës, veçanërisht në Fresk dhe Allias.
Gjatë gjithë periudhës hetimore, autoritetet kanë arrestuar në total 9 persona, ndërsa janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpe tritol, një sasi e konsiderueshme municionesh, 4 automjete dhe 13 telefona celularë. Hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal vijojnë.Versus.al

