AKTUALITET /

Ekzekutimi mafioz i Gentian Bejtjas, zbardhet roli i dy të arrestuarve! Si i ndihmuan vrasësit të arratiseshin

Edison Haxhiu dhe Ilir Beqaraj siguruan kushtet që autorët të largoheshin nga fshati Larushkë pas ekzekutimit të Gentjan Bejtjas.

Shkruar nga Versus
Ekzekutimi mafioz i Gentian Bejtjas, zbardhet roli i dy të arrestuarve! Si
Ilir Beqaraj dhe Edison Haxhiu, të arrestuar më 19 mars për vrasjen e Gentjan Bejtjas

Është zbardhur së fundmi roli i dy prej të arrestuarve më herët për ekzektimin mafioz të Gentjan Bejtjas në mars të këtij viti në Larushkë të Fushë Krujës.

Ilir Beqaraj alias Brahimi alias Mançellari dhe Edison Haxhiu të dyshuar si bashkëpunëtorë në ngjarjen e rëndë, janë zyrtarisht nën akuzë për armëmbajtje pa leje, falsifikim dokumentesh dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e veprës penale “vrasje”.

Roli i Beqarajt dhe Haxhiut në vrasjen e Bejtjas:

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se autorët kanë përdorur një automjet tip “Land Rover” për të kryer atentatin ku ekzekutuan me breshëri plumbash Gentjan Bejtjan një prej “të fortëve të zonës’ i cili më herët kishte qenë edhe polic. Pasi kryen ekzekutimin, autorët u larguan drejt aksit rrugor Larush-Thumanë ku braktisën dhe dogjën mjetin “Land Rover” dhe më pas u larguan me mjetin tip “Volkswagen” që dyshohet se drejtohej nga Ilir Beqaraj.

Ky i fundit ka luajtur rolin e shoferit, ndërsa mjeti ishte në pronësi të Edison Haxhiut. Gjatë kontrolleve të policisë, Beqarajt iu gjetën në banesë:  një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin “Ëalther”  me tetë fishekë, një armë zjarri e markës “Benelli”, e cila mbahej me lejen e organeve të Policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e Ilir Beqarajt, një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e Ilir Beqarajt dhe 3 aparate celulare.

Ndërkohë, Edison Haxhiu i cili është arrestuar që në datën 19 mars për ngjarjen së bashku me Ilir Beqarajn, është pronari i automjetit që largoi vrasësit nga Larushka dhe akuzohet se ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për kryerjen e vrasjes së Gentjan Bejtjas. Haxhiu mbajti të fshehur për pak ditë mjetin e përdorur nga Ilir Beqaraj për transportimin e ekzekutorëve të Gentjan Bejtjas. Versus.al

Poll