
Policia e Shtetit ka zbardhur detaje të reja rreth hetimeve për ekzekutimin mafioz të Gentjan Bejtjas të ndodhur më 15 mars në fshatin Larushkë të Fushë-Krujës, zonë mjaft problematike e cila njihet për mbizotërimin e bandave kriminale.
Një 41 vjeçar nga Vlora i identifikuar si Florian Plaku alias alias F. S., alias F. M., 41 vjeç dyshohet se ka qenë një prej anëtarëve të grupit të ekzekutorëve që qëlluan me breshëri automatiku drejt Gentjan Bejtjas gjatë kohës që ky i fundit ndodhej në ballkonin e banesës së tij.
Plaku është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në njoftimin e policisë ku shpjegohet dinamika e ngjarjes, bëhet me dije se për ngjarjen janë arrestuar më herët Edison Haxhiu dhe Ilir Beqaraj. Haxhiu rezulton të jetë pronar i makinës që u përdor për të larguar nga vendngjarja ekzekutorët që kryen vrasjen, ndërsa Ilir Beqiraj drejtonte automjetin. Gjatë kontrollit të policisë në banesën e tij u gjetën armë dhe municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës "Land Rover Discover" me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes, po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë - Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.
Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip "Volksëagen Golf" me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.
Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip "Volksëagen Golf" me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, 30 vjeç, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. Po kështu, ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.
Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip "Volksëagen Golf" me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu dhe shoqërimin në ambjentet e Policisë. Gjithashtu, në vazhdim të veprimeve hetimore, po në këtë datë u bë i mundur shoqërimi në ambientet e Policisë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin “Ëalther” me tetë fishekë, një armë zjarri e markës “Benelli”, e cila mbahej me lejen e organeve të Policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe 3 aparate celulare.
Më datë 19.03.2024, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe e municionit”, dhe “Falsifikimi i dokumentave” parashikuar nga nenet 278/2 dhe 186 të Kodit Penal, si dhe ndalimi i shtetasit Edion Haxhiu, 30 vjeç, për veprën penale “Sigurimi i kushte dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumentave, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave të tjerë si autorë të kësaj ngjarje
Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1885 datë 26.07.2024 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dyshuar pë kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 78, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Shërbimet e DVP Tiranë, të mbështetura në fazën operacionale nga shërbimet e DVP Vlorë, kanë ushtruar kontrolle për lokalizimin e shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, dhe vijon puna për kapjen e këtij shtetasi i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithëm Tiranë, është ushtruar kontroll në ambientet e një agjensie udhëtimesh në qytetin e Lezhës, ku janë administruar pajisje elektronike dhe dokumente me vlerë për hetimin.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vlerësim të provave dhe fakteve të administruara, ka bërë rikualifikimin e veprës penale në ngarkim të shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe përveç veprave penale "Falsifikimi i dokumenteve" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", parashikuar nga nenet 186 dhe 278/1 të Kodit Penal, këtij shtetasi i është shtuar vepra penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 e 22 të Kodit Penal.
Kush është Gentjan Bejtja, ish-polici që u kthye në një prej kriminelëve më të lakuar në Fushë-Krujë?
Gentian Bejtja, i cili u ekzekutua në banesën e tij në Fushë Krujë, është është një emër i njohur për policinë, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar më parë me arsenal armësh në banesë.
Ai është hetuar edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, pasi u dyshua bashkë me Enver Stafukën, si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga e cila u vra Lamaj, në shkurt 2013. Bejtja u bë i njohur me 26 shkurt të vitit 2013, një ditë pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt, në rrugën “Petro Korçari”, fare pranë banesës së tij.
Gentian Bejtja është shoqëruar më parë edhe për dy atentate, atë të vrasjes së Ilias Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, në prill të 2022-it dhe atentatit ndaj Marklen Hakës në qershor 2022, por nuk u gjetën prova për ta fajësuar si autor të dyshuar.
Po ashtu, Gentian Bejtja përflitet se ka qenë i pranishëm në momentet e rrëmbimit të Enver Stafukës, më 8 shkurt 2015. Stafuka u rrëmbye në zonën e Fushë Krujës dhe u zhduk pa gjurmë prej atij momenti. Në vendin e ngjarjes, ishte edhe Durim Bami dhe Ramazan Rraja. Fati i Stafukës nuk u zbulua asnjëherë përgjatë kësaj dekade.
Bejtja u kishte shpëtuar më herët dy atentateve të organizuara për vrasjen e tij. Versus.al







