
Një vajzë është goditur me thikë mbrëmjen e kaluar në Tiranë. Sherri ka nisur në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës, mes dy motrave Xhemile dhe Esma Verlaku me TikTokeren e njohur për videot e saja provokuese, Kasandra Cani.
Dy motrat kanë shkuar për të bërë denoncim në Polici pas sherrit por janë tërhequr në momentin e fundit.
Më pas dy motrat Verlaku kanë shkuar në apartamentin e Canit tek kompleksi Delijorgji në Tiranë ku janë përlasur fizikisht.
Gjatë sherrit njëra prej motrave Verlaku ka qëlluar me thikë Canin, ndërsa motra tjetër është futur në mes për t’i ndarë. I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Canit, e cila ka qëlluar njërën për vajzave që aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Cani ka tentuar të largohet nga vend i ngjarjes, por Policia e ka arrestuar për veprën penale ‘plagosje e rëndë me dashje’.
Gjithashtu motrat Verlaku po procedohen në gjendje të lirë për veprat penale ‘dëmtime të tjera me dashje dhe ‘ dhunim banese.'
Deri më tani nuk dihen arsyet e sherrit mes vajzave të cilat ishin dhe mikesha por bëhet e ditur se në momentin kur ka ndodhur ngjarja vajzat kanë qenë nën efektin e alkoolit.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, në orën 15:30, të datës 20.01.2025, bënë arrestimin në flagrancë, të shtetases K. C., 26 vjeçe, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Si dhe referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin në gjendje të lirë për shtetasen Xh. V., 24 vjeçe, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Kanosja” dhe “Dhunimi i banesës”.
Më datë 20.01.2025, në orën 02:34 të mëngjesit, shtetaset E. V., 22 vjeçe, dhe Xh. V., 24 vjeçe, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 për kallëzim, për një konflikt që kishin pasur me disa shtetase të tjera në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës, por nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi personat e përfshirë apo mjetet e përdorura
Shërbimet e Policisë i kanë informuar ato mbi mënyrën e trajtimit të rasteve të tilla dhe procedurat që duhen ndjekur. U është kërkuar të presin për marrjen e kallëzimit nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, por shtetaset janë larguar nga Komisariati në orën 02:38, pa përfunduar procedurën e kallëzimit./Versus.al









