Operacioni i SPAK-së ka çuar në goditjen e një organizate kriminale të fuqishme, e cila dyshohet se është favorizuar nga njerëz të drejtësisë, zyrtarë policie dhe gazetarë.
Nga 18 urdhër arreste të lëshuara, disa janë ekzekutuar, ndërsa mes të arrestuarve është Marsel (alias Bujar) Shega, administrator i dy kompanive, Viola Green dhe Wonder Green, të cilat dyshohet se kanë pastruar para të grupeve kriminale, duke përfshirë edhe një grup me bazë në Dubai që ka investuar në pasuri të paluajtshme në Tiranë.
Shega u arrestua në Milano, dhe u akuzua për lidhje të ngushta me krimin, përfshirë Suel Çelën, një emër i njohur në botën e krimit dhe i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.
Kompanitë e Shegës janë përfshirë në tendera për pastrimin e qyteteve, ndërsa hetimet sugjerojnë se ato mund të jenë përdorur për të pastruar para të grupeve kriminale.
Pjesë e aksionit ishin edhe arrestimet e ish-gjyqtares Pajtime Fetahu, e cila ndodhej nën masën e arrestit shtëpiak dhe ish-zyrtarit të policisë, Dedan Gjoni, për të cilin është caktuar një masë e re sigurie. Po ashtu, një avokate, e cila mbron një nga anëtarët e grupit të Suel Çelës, ka përfunduar në arrest shtëpiak.
Operacioni është mbështetur nga Europol dhe agjencitë ligjzbatuese shqiptare, dhe ka ardhur pas zbërthimit të komunikimeve në Sky ECC, një sistem i koduar i komunikimit të përdorur nga grupe kriminale. Hetuesit kanë marrë prova të reja nga autoritetet belge, të cilat kanë hetuar për vite me radhë trafikun e kokainës dhe pastrimin e parave.
SPAK njoftoi se operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë është ende në zhvillim, dhe se po merren masa për zbardhjen e mëtejshme të lidhjeve të organizatës dhe personave të tjerë të përfshirë.







