Krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri kanë reaguar sot duke shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut në moshën 88 vjeçare, vetëm një ditë pas kremtimt të Pashkës.
Kryepeshkëvi i Kishës Katolike shqiptare imzot Arjan Dodaj me një status në platformën “X” e ka cilësuar Papa Françeskun si “revolucionar të butësisë”.
“Faleminderit i dashur Papa Françesku. Papa i Revolucionit të Butësisë dhe Dashurisë së Zotit! Papa i dashuruar me popullin tonë shqiptar. Papa jonë nga qielli na beko e vazhdo të na shoqërosh me dashurinë tënde”- shkruan Dodaj.
Nga ana tjetër kreu i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu shprehet se gjatë takimit të veçantë që kishte patur më Papën kishte kuptuar vlerësimin e lartë që kishte për muslimanët në Shqipëri.
“Sot u nda nga jeta një Papë që e deshi shumë dialogun ndër fetar, e deshi shumë vendin tonë dhe vlerësoi veçanërisht Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për rolin që luan në shoqërinë shqiptare.
Kam patur nderin e veçantë të jem kryetari i parë në historinë e KMSH që kam patur një audiecë të posaçme, me ftesë të tij, me Papa Françeskun. Takim që u zhvilluam më 6 maj 2022.
Në takimin kokë më kokë me Papa Françeskun, takim i cili zgjati për më shumë se 30 minuta, patëm një diskutim të gjerë nga i cili, përveç të tjerash, kuptova rëndësinë që ai i kushtonte dialogut dhe vlerësimit të lartë që kishte për Shqipërinë e për rolin e Komuniteti Mysliman.
Sot bota nuk ka humbur vetëm një Papë, por edhe një kryetar shteti e lider fetar që punoi shumë për paqe mes besimeve e për një botë më të qetë e të pa trazuar.
Unë dhe Komuniteti Mysliman kemi humbur gjithashtu një mik. I shpreh ngushëllimet e mia bashkëpunëtorëve të tij të komunitetit katolik në Shqipëri dhe shtetit të Vatikanit!”- shkruan Spahiu.
Për ndarjen nga jeta të Papës reagoi edhe kryegjyshi botëror, Baba Mondi i cili e përshkroi Papën si liderin e madh botëror të kohës modern.
“Sot bota humbi liderin e madh botëror të kohës, flamurtarin e Paqes dhe të dashurisë. Papa e deshi shumë popullin tonë, kombin martir të Zotit”, tha ai. Versus.al








