
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka folur për mediat pasi doli nga seanca që u mbajt në GJKKO për masakrën e Gërdecit ku dëshmuan ekspertët që kishin inspektuar dëmin ekonomik të shkaktuar.
Ai e quajti procesin anti-ligjor dhe pretendoi se nuk ka më asnjë shpjegim nga ana e SPAK lidhur me përgjegjësitë e tij si ish-ministër i kohës kur ndodhi ngjarja, lidhur me dëmin e shkaktuar për buxhetin e shtetit. Sipas tij, është krijuar një situatë absurde në seancat gjyqësore që po zhvillohen.
“Nuk ka interes për të vërtetën. Kjo është një situatë absurde sepse na është hequr e drejta për të bërë pyetje. SPAK ka ndërtuar akuzë dhe prokuroria duhet të thotë për një akt ekspertimi të bërë në vitin 2008-2009 duhet të thotë ërgjegjësitë e ministrit. Aty ka marrëdhënie që nuk lidhen me ministrin. Unë këto nuk mund t’i imagjinoj. Unë mendoj se kjo është ndershmëria në raport me procesin”- tha Mediu.
Nga ana tjetër avokati i tij Ardian Visha foli për përplasjen që pati me gjyqtaren Irena Gjoka duke thënë se kjo e fundit, komandohej nga kërkesat që bënin prokurorët e SPAK.
“Procesi është në fazën e pyetjes së ekspertëve të caktuar nga prokuroria e kohës për të parë nëse ka shkelje në afatin ligjor të kompanisë së Gërdecit. Ne kishim pyetjet tona për veprimin e tyre. Sa herë që ndërhynte prokuroria gjykata dëgjonte dhe vepronte. Ky standart i dyfishtë u bë shkak i një revolte verbale në sallën e gjyqit. Kjo nuk ndihmon të vërtetën. U pretendua se pyetjet tona ishin për konsumim kohe. Veprimet e Gjykatës janë të gjitha të kërkuara nga prokurori. Nuk ka ndodhur kurrë që gjykata tu ketë tërhequr vëmendjen prokurorëve”- pretendoi Vishaj.
Ndërkohë, seanca e radhës për Gërdecin u shty për në orën 09:00 të datës 17 korrik ku ekspertët e inspektimit të dëmit ekonomik gjatë vitit 2008-2009, do të paraqesin me shkrim përgjigjiet e tyre lidhur me pyetet që do u drejtohen me shkrim nga ana e avokatëve të Mediut. Versus.al







