
Mëgjesin e sotëm, në GJKKO nisi seanca e radhës dëgjimore për dosjen e Gërdecit, për të cilën është marrë i pandehur ish-ministri i Mbrojtjes asokohe, Fatmir Mediu.
Ky i fundit është i pranishëm në sallë së bashku me dy avokatët e tij, Henrik Ligori dhe Ardian Visha. Ndërsa këtë herë janë të pranishëm edhe ekspertët Bexhed Zeqiri, Ymer Stafa, Rasim Metallari, Latif Cela, Mondi Hoxha të cilët kanë përcaktuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga shpërthimi i 15 marsit 2008, familjarët e Erison Durdës, një prej viktimave dhe avokati mbrojtës i tyre Dorian Matlia.
Prokurorët e SPAK-ut, Klodian Braho dhe Arben Kraja janë gjithashtu të pranishëm në seancë.
Ekspertët që përcaktuan dëmin ekonomik të shkaktuar:
1-Bexhed Zeqiri- financier kontabël, aktualisht punonjës te KLSH, audit.
2-Ymer Stafa-ekonomist financiar, pensionist.
3-Rasim Metallari- financier, punonjës te Universiteti i Mjekësisë, auditues i brendshëm
4-Latif Çela- financier i lartë, auditues te Ministria e Financave
5-Mondi Hoxha- punonjës në sektor privat, kompania Kastrati Group.
Më herët të njëjtët ekspertë kanë deklaruar se nuk mbanin mend raportin e bërë në 2008-ën për dëmet ekonomike pasi kishte kaluar shumë kohë. Ndërsa vetë ish-ministri Fatmir Mediu ka deklaruar shpesh para mediave se procesi i zhvilluar, nuk kishte asnjë lidhje me të dhe përgjegjësitë e tij si ministër i asaj kohe. Versus.al







