AKTUALITET /

Grabiti mjekun që i dha 50 mijë € borxh për ta shpëtuar nga falimenti, biznesmeni: Isha i dehur s’e di si ndodhi

Për grabitjen e ndodhur më 25 gusht, Bibollari ia ka lënë fajin alkoolit dhe faktit që ndodhej në prag falimenti.

Shkruar nga Versus
Grabiti mjekun që i dha 50 mijë € borxh për ta shpëtuar
Mjeku, Eqerem Hasani dhe biznesmeni Olsi Bibollari

E denjë për skenar filmi historia e dy miqve, njëri biznesmen e tjetri mjek në Spitalin Universitar Nënë Tereza në Tiranë. Olsi Bibollari pronar i “Ogi Restorant”, dhe aksioner i një bar kafeneje, kontakton mikun e tij mjek në urgjencën e QSUT-së dhe i kërkon ndihmë pasi biznesi i tij ishte pranë falimentit. Mjeku Eqerem Hasani i përgjigjet pozitivisht, shkojnë pranë një notereje dhe I jep borxh 50 mijë euro.

Burime për Versus.al kanë zbardhur dinamikën e ngjarjes së ndodhur në Tiranë pas firmosjes së aktit notarial.

Dy miqtë hipin në të njëjtën makinë por pasi zbret mjeku harron çelsin e apartamentit në sedilje. Bibollari merr çelsin dhe ngjitet në banesën e mikut të tij që i kishte marrë borxh 50 mijë euro, dhe kontrollon për sende me vlerë, ku gjen 15 mijë euro cash. I merr dhe largohet, ndërsa mjeku pas disa kohësh kupton se paratë i mungonin në vendin ku i ruante. Hasani i drejtohet komisariatit ku bën kallëzim për humbjen e parave. Oficerët e Policisë Gjyqësore nisën marrjen në pyetje dhe kërkimet për gjetjen e provave ku nga kamerat e sigurisë shihet duke hyrë në apartamentin e mjekut miku i tij Olsi Bibollari. Krijohen dyshimet se ai mund të jetë autori i vjedhjes në banesë dhe urdhërohet marrja në pyetje ku pranon veprën penale.

“Jam drejt falimentimit, më duheshin paratë ndaj kërkova borxh, sa i takon veprimit në banesën e mjekut, nuk e kuptoj pse e kam bërë kam qenë në gjendje të dehur”- mësohet të jetë shprehur Bibollari, raporton Versus.al

Policia e Tiranës i vuri pranga 38 vjeçarit për veprën penale të vjedhjes ndërsa sekuestroi edhe shumën e parave në cilësinë e provës materiale. Çështja tashmë I ka kaluar Prokurorisë së Tiranës ndërsa pritet të shihet nëse do nisë verifikim pasuror për mjekun rreth shumave të konsiderueshme të parave që dispononte. Versus.al

Poll