Tiranë- Në Gjykatën e Posaçme të Apelit u mbajt sot seanca gjyqësore për masat e sigurisë ndaj personave të akuzuar si anëtarë të grupit kriminal të të shumëkërkuarit Suel Çela në Elbasan.
Për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu e cila shfaqej në biseda të “SkyEcc” me Suel Çelën, është lënë në fuqi masa e sigurisë “arrest me burg”, po ashtu edhe për anëtarët e tjerë të grupit si Marsel dhe Xhino Rokaj.
Ndërsa për gazetarin Elton Qyno të akuzuar për korrupsion, Apeli i GJKKO ka vendosur të heqë masën “detyrim paraqitje”. I njëjti vendim nuk u mor për gazetarin tjetër Artan Hoxha, pasi ky i fundit nuk e kishte ankimuar masën e sigurisë.
Të dy gazetarët akuzohen nga SPAK se janë paguar nga Suel Çela me qëllim që të flisnin në emisione televizive për kundërshtarët e tij, duke i paraqitur këta të fundit si të lidhur me pushtetin qeveritar.
Grupi i Suel Çelës u godit në nëntor të vitit të kaluar, ku u lëshuan disa masa arresti. Në përgjimet e siguruara nga dosja e SPAK, shfaqej vetë gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu e cila komunikonte me Suel Çelën për lehtësimin e masave të arrestit ndaj anëtarëve të grupit kriminal dhe dënimin e kundërshtarëve të tyre.
Suel Çela akuzohet si koka e njërit prej grupeve të trafikut të drogës nga Amerika Latine e që shitej më pas në vendet e Bashkimit Europian. Versus.al







