AKTUALITET /

“I vini rrotull kryeministrisë, godisni opozitën”, Dumani-Strazimirit: Sesa patriot jam, e the edhe ti vetë

Shkruar nga Versus

“I vini rrotull kryeministrisë, godisni opozitën”,
Gjatë raportimit të bërë për më shumë prej 5 orësh në Komisionin për Çështjet Ligjore, kreu i SPAK, Altin Dumani u përplas edhe me deputetin e opozitës, Gent Strazimiri. 

Ky i fundit duke cekur edhe respektin për Dumanin për patriotizmin e tij tha se për këtë arsye po i kërkonte llogari pasi priste shumë prej tij. Sipas Strazimirit, SPAK po i shkon rrotull kryeministrisë, por ndërkohë godet liderët e opozitës. 

Dumani iu përgjigj duke i theksuar përgjegjësinë që ndjen në pozicionin që ka ndërsa sa i takon "vijës së kuqe" të SPAK, ai pretendoi se nuk ka asnjë emër të paarritshëm duke përfshirë edhe Ramën, por për çdo gjë duhen prova. 

Pjesë nga debati:

Strazimiri: Refuzoni të thoni që task-forca e krijuar për zgjedhjet ka qenë dështim, por thoni që mund të kishte qenë më mirë. Në rezulton që blerja e votës është kthyer në sistem dhe ka një bashkëpunim të fortë të pushtatarëve me krimin e organizuar. Ju jeni përfshirë që të parandalohet gjëja. Në fund fare jo vetëm që nuk parandaluam gjë, por krimi i organizuar e mbushi kutinë aq sa deshi. Kjo nuk mund të jetë sukses i pjesshëm.

Dumani: Sa i takon zgjedhjeve, SPAK ka bërë çfarë ka qenë e mundur për të hetuar krimin zgjedhor. Rastet janë konkrete. Çdo pretendim tuajin e kemi verifikuar, edhe në 12 të natës. Kemi bërë çfarë ka qenë e mundur, duke rrezikuar hetuesit dhe prokurorët. Unë jam përgjegjës për çfarë bëj unë, jo çfarë mendoni ju.

Strazimiri: Thatë që korrupsioni është në rritje, jam dakord. Sa më shumë shtohet represioni ndaj korrupsionit, aq më shumë shtohet.

Manja: Strazimiri iu tërheq vëmendjen se nuk jemi këtu për të vlerësuar kush thotë të vërtetën dhe kush gënjen. Përmbahuni se ndoshta edhe jeni lodhur. Edhe ata (prokurorët e SPAK) janë lodhur, kanë qenë në punë gjithë ditën.

Strazimiri: Ju keni treguar patriotizëm atëherë dhe kjo detyrë që keni marrë përsipër nuk bëhet pa atdhedashuri dhe pa patriotizëm. Në emër të kësaj ju kërkoj hesap sot. Thatë që jo të gjitha çështjet janë njësoj. Një çështje për armëmbajtje pa leje është ndryshe nga një çështje për kundravajtje rrugore. Tre liderët e opozitës i ke në burg ose ndjekje penale për korrupsion. Ka edhe ministra, i shkoni rreth e qartë godinës së kryeministrisë, arrestoni liderët e opozitës për korrupsion dhe në fund dilni në përfundimin që korrupsioni qenka rritur. Mos ndoshta nuk e bën Mehmeti me kokë të vetë, mos ndoshta e bën Enveri dhe herë pas herë iu jep ndonjë nga këta juve që ti keni për konsum publik? A ju ka shkuar ndonjëherë në mendje që është Enveri dhe jo Mehmeti me kokën e tij? Nuk kam nevojë për përgjigje.

Manja: këto janë konsiderata politike dhe nuk kanë të bëjnë me veprimtarinë e institucionit që drejtoni. Ju kërkoni nga Dumani atë që e ka përgjegjësi gjithë shoqëria në tërësi. Mos e acaroni këtë dëgjesë pas 5-6 orësh. Pak respekt për të ftuarit këtu. SPAK është shpresë për të gjithë, ti kërkojmë llogari për aq sa ka me kushtetutë.

Dumani: Përgjigje nuk do Strazimiri, por patjetër që kam koment. Ju (i drejtohet Strazimirit) nuk mund të aludoni që në këtë seancë unë vetëm një herë kam qenë i vërtetë. Ju e dini shumë mirë që jam i vërtetë çdo orë dhe çdo ditë të jetës sime. Ndihem i fyer nga ajo që thoni. Sa patriot jam dhe sa e dua këtë vend e pranuat vetë. Të gjithë bashkë me prokurorët kemi një qëllim të vetëm për të kontribuar për ecjen par të këtij vendi. Edhe këtë e dini shumë mirë ju që mua dhe prokurorët e posaçëm nuk na bëjnë shumë përshtypje emrat, ministra, zv.kryeministra, kryeministra, por provat duhen. Sa herë kemi pasur prova kemi ndërtuar ndjekje penale. Për pjesën tjetër nuk dua të përfshihem në diskutimet tuaja.

Strazimiri: Në emër të atij respekti që përmendët, iu fola. Unë me aq sa iu njoh, nuk më duket se jeni njeri që kënaqeni me rezultate minimaliste, ose ta quani gjasme-rezultatin rezultat. Sa i përket patriotizmit, keni parasysh një gjë, burri ka kohë me u fëlliq deri në një minutë para se me vdek.

Manja: Dakord, dakord, nuk jemi për të treguar burrninë e njeri-tjetrit këtu.

Poll