Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi i drejtoi disa pyetje kreut të SPAK, Altin Dumanit duke nisur nga krimet zgjedhore duke thënë se task forca kishte dështuar deri tek masa e arrestit për Visin e Pojës, operacion që sipas tij ishte vonuar dhe duhej të kishte ndodhur para 11 majit.
“Nëse ne do ishim në gjendje ti kapnim me presh në duar duke blerë votat, një Zot e di se çfarë mund të ndodhë. Por flasim për njerëz të krimit të organizuar, nëse do ishit me mua atë ditë në terren do të shihnit spektakël nga prania e tyre në terren.
Asgjë nuk ndodhi para zgjedhjeve. Ideja ishte që para zgjedhjeve ne të parandalonim diçka të tillë, fjalët ishin të mëdha, por nuk ndodhi gjë. Ajo që mund të them unë është se nuk kemi rrugë tjetër, nëse SPAK dështoi, atëherë ne nuk kemi rrugë tjetër.
Pse u vonua aq shumë veprimi për operaiconin Ura i cili nëse do kishte patur ndërhyrje 10 ditë para zgjedhjeve, unë ju garantoj se rezultati në qarkun e Durrësit do ishte diçka krejt tjetër.
A keni hetime për të kuptuar përse ndodhi kështu, pse u vonua ky operacion dhe nëse ndokush e dekonspiroi? Rasti i portit të Durrësit, është aseti strategjik më i madh që ka Shqipëria jo vetëm në vlerën e tij, por qoftë edhe ushtarak. Kemi bërë 2 kallëzime a ka hetime për këtë?
Po kështu e ngjashme është çështja e Ecopark në Durrës. Puna me fond 19 milionë euro, ishte kryer për 12.5 mln euro dhe pjesa tjetër nuk është përdorur”- u shpreh Bylykbashi mes të tjerash.
Nga ana tjetër, Dumani nuk ngurroi t’i përgjigjej deputetit duke i kujtuar se ka komunikuar me të personalisht dhe se i kishte dërguar hetues edhe në orar jo të përshtatshëm.
“Ju kam dërguar hetues në mes të natës sa herë që keni patur pretendime. Por ndodh edhe kjo. Sa herë që ju na dërgoni informacione dhe ne përgatitemi për të hetuar rastin, shohim në media që thuhet me titra: po blihen vota në këtë vend. Ne 20 prokurorë jemi. Jam njëlloj i shqetësuar si ju për blerjen e votës së këtij vendi, sepse para se të jem prokuror jam qytetar. Por kapacitetet e SPAK, këto janë ne nuk jemi polici.
Sa për operacionin Ura, ne si SPAK e kemi dorëzuar kërkesën e caktimit të masës për muajin mars 2025, vendimi është dhënë diku nga data 5 ose 6 maj. Të njëjtën ditë është komunikuar me kolegët tanë të Barit, është koodinuar takimi në Shqipëri në datën 7 dhe ata kishin punë përgatitore për të bërë sepse shumica ishin në Itali ata që u arrestuan. Nuk është detyra jonë të arrestojmë njerëz, e bën policia ne vetëm kërkojmë masën”- tha Dumani.
Ndërsa theksoi se ka nisur hetimi edhe për Portin e Durrësit dhe Ecopark për të cilat PD pretendon se është përfshirë edhe vetë kryeministri Edi Rama.
“Sa i takon Portit të Durrësit, ka filluar procedim penal, për shkak se është në fazën e hetimit paraprak nuk mund t’u jap më shumë informacion.
Sa i takon Eco Park, procedimi është në fazën e hetimit paraprak dhe hetimet janë drejt përfundimit. Është regjistruar kryesisht në SPAK para se PD të bënte denoncimin”- shtoi kreu i SPAK. Versus.al







