
Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi zgjatje të hetimeve me 3 muaj për grupin e Laert Haxhiut, të gjithë të akuzuar për një sërë veprash kriminale.
Kërkesa u pranua vetëm pjesërisht nga Gjykata e Posaçme e cila i caktoi prokurorit të SPAK, Behar Dibra vetëm 45 ditë kohë shtesë për të përfunduar hetimet mbi grupin kriminal për të cilin janë marrë të pandehur Erisiano Abedini, Bujar Abedini, Lulzim Spahija, Ligor Romaçkq, Idriz Manej, Maringlen Topuzi, Bledar Berberi, Enriko Xhahysa dhe Fatjon Veliu.
Lart Haxhiu u ekstradua vetëm pak kohë më parë nga Greqia, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit vulosi dënimin e tij me burg të përjetshëm nën akuzën e masakrës së Lushnjës të ndodhur në vitin 2017 ku Haxhiu dyshohet se vrau me kallashnikov Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën, miq të nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurtin të cilin kishte tentuar ta vriste që në 2016-ën.
Haxhiu asokohe refuzoi ekstradimin në Shqipëri me pretendimin se i rrezikohej jeta.
Krimet e bandës së Laert Haxhiut u zbardhën pas dëshmisë që dha i penduari i drejtësisë, Artan Tafani i cili u arrestua pasi grabiti një pikë këmbimi valutor në zonën e Astirit në Tiranë. Versus.al







