AKTUALITET /

“Lali, lali”/Veliaj niset drejt paraburgimit të Durrësit, mbështetësit bllokojnë furgonin e Policisë (VIDEO)

Mbështetësit e Veliajt, të cilët u mblodhën jashtë ambienteve të gjykatës, kërkuan lirimin e tij duke pretenduar se arrestimi është i motivuar politikisht. Disa nga ta u shoqëruan nga policia pas përplasjes me forcat e rendit gjatë tentativës për të ndaluar mjetin që transportonte kryebashkiakun.

Shkruar nga Versus

“Lali, lali”/Veliaj niset drejt paraburgimit të Durrësit,

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka lënë sot ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për t’u transferuar drejt Durrësit, ku do të mbahet në paraburgim. Largimi i tij është shoqëruar me protesta nga dhjetëra mbështetës, të cilët kanë bllokuar përkohësisht mjetin e policisë në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit për ta lënë në burg.

Veliaj u arrestua të hënën, më 10 shkurt, nën akuzat për “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në nëntë raste, si dhe për “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), hetimet kanë zbuluar një skemë të gjerë korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike përmes tenderave të Bashkisë së Tiranës. Një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt në këtë skemë dyshohet të jetë biznesmeni Elman Albule, i cili është gjithashtu në paraburgim për përfitime të paligjshme nga kontratat publike.

Mbështetësit e Veliajt, të cilët u mblodhën jashtë ambienteve të gjykatës, kërkuan lirimin e tij duke pretenduar se arrestimi është i motivuar politikisht. Disa nga ta u shoqëruan nga policia pas përplasjes me forcat e rendit gjatë tentativës për të ndaluar mjetin që transportonte kryebashkiakun.

Seanca e radhës gjyqësore pritet të mbahet në ditët në vijim, ku mbrojtja e Veliajt do të paraqesë kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë. Ndërkohë, SPAK ka deklaruar se hetimet do të vijojnë për të zbardhur të gjitha lidhjet e dyshuara mes zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës dhe grupeve të interesit që kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Kjo çështje ka marrë vëmendje të madhe publike dhe pritet të ndikojë ndjeshëm në zhvillimet politike të vendit, veçanërisht në prag të zgjedhjeve parlamentare. /Versus.al/

Poll