
Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka dërguar për gjykim dosjen e kryebashkiakut të Devollit Eduard Duro.
Duro është marrë më herët i pandehur nga SPAK nën akuzën se ka lincencuar një pikë karburanti në Bilisht pavarësisht se ishte ndërtuar pa leje.
“Dhënia e lejes ishte në kundërshtim me ligjin nr.8450, dt 24.02.1999 dhe VKM nr.170, dt.25.04.2002. Subjekti “Genci Petrol”, sh.p.k. në kohën e dhënies së saj nuk ka qenë i pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar; a. aktin e kontrollit, b. lejen e shfrytëzimit për stacionin e karburantit dhe c.autorizimin për hyrje-daljet në rrugë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, si rrugë interurbane dytësore”- thuhet në njoftimin e SPAK.
Të pandehur janë marrë edhe zyrtarët e bashkisë Gazmend Haxhija, Gazmend Malo, Astrit Seferkolli dhe Vojsava Bregu të cilët i dhanë kompanisë lejen për të tregtuar karburant.
Ndaj 5 të pandehurve rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës. Dy ditë më parë, Duro u paraqit në SPAK ku qëndroi për 2 orë rresht dhe pasi la ambientet e Prokurorisë së Posaçme deklaroi para mediave se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga detyra.
Tashmë pritet caktimi i datës për seancën paraprake ndaj Duros ku do të vendoset nëse çështja ndaj tij do kalojë për gjykim apo do të pushohet. Versus.al







