Të premten, dy ditë para protestës së paralajmëruar për ditën e diel nga qytetarët, është hequr porta e vendosur prej 22 vitesh në Gjirin e Kakomesë në Sarandë.
Mesa duket efekti i protestave në zona të ndryshme të Shqipërisë ku qytetarët kanë shkulur trarët dhe rrethimet e vendosura nga persona që pretendojnë se janë pronarë të pikave më të bukura bregdetare ku duan të ndërtojnë resorte, ka bërë që të hiqej që pengonte edhe turistët që të laheshin në gjirin e Kakomesë.
Mirëpo kjo zonë aq e lakmuar, ka qenë në qendër të vëmendjes publike edhe vite më parë në vitin 2021 ku pati akuza e pretendime për falsifikime dokumentesh nga biznesmeni Luan Leka për të përfituar 18.5 ha pronë shteti buzë detit. Në gusht të vitit 2021 sipërmarrësi Luan Leka, pjesë e grupit të investitorëve të shoqërisë “Riviera Kakome” reagoi publikisht duke bërë me dije se me mbështetjen e bankave, ishin në pragun e nisjes së një investimi prej 70 milionë eurosh në Gjirin e Kakomesë. Projekti parashikonte ndërtimin e një resorti turistik hotelier me 5 yje, me një kapacitet prej 375 dhomash.
Mirëpo projekti mbeti në letër pasi ende sot e kësaj dite në këtë perlë të bregdetit shqiptar me ujëra të kristalta, nuk ka patur asnjë investim të tillë.
Kronologjia e ngjarjeve
Më datë 05.07.2004, Këshilli i Kontrollit të Territorit të Republikës së Shqipërisë që asokohe drejtohej nga qeveria e Fatos Nanos, i dha kompanisë “Riviera” sh.p.k. truallin e Kakomesë me qira për 99 vjet. Njëkohësisht u miratua edhe ndërtimi i një resorti turistik, i cili do të realizohej në bashkëpunim me kompaninë franceze “Club Med”. Ky vendim u kundërshtua nga subjekti “Bashkësia e Fshatit Nivicë”, në emër të banorëve të fshatit Nivicë që ndodhet rreth 10–15 km larg Gjirit të Kakomesë. Pretendimi i këtij subjekti lidhej me mbrojtjen e së drejtës së pronësisë mbi tokë pyjore dhe kullota.
Fillimisht, subjekti “Bashkësia e Fshatit Nivicë” kërkoi nga AKKP (Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave) njohjen e të drejtës së pronësisë, duke pretenduar se duhej t’i njihej pronësia mbi një sipërfaqe prej disa qindra hektarësh, e emërtuar “pyll dhe kullotë”. AKKP Tiranë, me vendimin nr. 244, datë 07.09.2007, e rrëzoi këtë kërkesë si të pabazuar.
Më pas, subjekti “Bashkësia e Fshatit Nivicë” e kundërshtoi këtë vendim duke ngritur padi kundër AKKP Tiranë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Me vendimin nr. 7153, datë 27.08.2008, gjykata e rrëzoi sërish kërkesën për njohjen e pronësisë.
Zotëruesit aktualë të pronës, pretendojnë se kanë shpenzuar 9 milionë euro vetëm për ta blerë këtë tokë pa përfshirë shpenzimet për projektet dhe infrastrukturën mbi truall si kanalizimet, rrugët e pusetat. Resorti nuk u ndërtua, sipas pronarëve për shkak të arsyeve “antiligjore” që e kanë vonuar realizimin e tij.
Megjithatë, u deshën 22 vite që pronarët pretendentë të këtij trualli, të hiqnin portën e vendosur vetëm pasi u paralajmërua një protestë nga banorët. Versus.al

