Gjykata e Posaçme ka dënuar me 17 vite burg Islam Sefën, i njohur me pseudonimin “Xaka”, i konsideruar si drejtuesi i një grupi kriminal shqiptaro-gjerman.
Pasi përfitoi uljen me 1/3 të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 11 vite e 4 muaj burg, pasi u shpall fajtor për trafik narkotikësh në kuadër të një organizate kriminale të strukturuar.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Erjon Bani dhe Bib Ndreca.
Sipas dosjes, Sefa rezulton i përfshirë në nëntë episode të trafikimit të drogës gjatë viteve 2020–2021, duke pasur edhe rol drejtues brenda grupit kriminal që vepronte në Shqipëri dhe jashtë saj. Ai do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, duke filluar nga momenti i arrestimit.
Islam Sefa u arrestua më 2 korrik 2024 në një lokal pranë godinës së SPAK, i akuzuar si drejtues dhe financues i trafikut të drogës në Gjermani, me një vlerë prej rreth 3.3 milionë eurosh.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, grupi kriminal shqiptaro-gjerman kishte trafikuar sasi të konsiderueshme marijuane drejt Gjermanisë gjatë viteve 2020–2021.
Momenti i arrestimit të Islam Sefës:






