
Tiranë- Dy ekspertët mjekoligjorë të cilët u caktuan për të kryer ekspertimin mjekësor të ish-gjyqtares Pajtime Fetahu, janë paraqitur sot në GJKKO.
Ata morën detyrat nga togat e zeza dhe u betuan për vërtetësi në aktin që do të kryejnë në ambientet e paraburgimit në Pogradec ku po mbahet nën arrest me burg ish-gjyqtarja Fetahu e cila akuzohet se i shërbeu të shumëkërkuarit Suel Çela në gjykatën e Elbasanit.
Fetahu ka kërkuar lirimin nga qelia me pretendimin se vuan nga probleme të rënda shëndetësore dhe se i rrezikohet jeta. Ky pretendim do të përcaktohet nga ekspertët mjekoligjorë të cilët do të japin vlerësimin e tyre përfundimtar në seancën që do të mbahet javën e ardhshme.
Fetahu mbahet në qelinë e paraburgimit që prej muajit nëntor të vitit 2024, në kuadër të një urdhër-arresti që u lëshua nga SPAK mbi hetimet për Suel Çelën dhe anëtarët e grupit të tij. Në përgjimet e zbardhura në SKY ECC tregohej se Fetahu kishte qenë një prej “veglave” të Suel Çelës në sistemin e drejtësisë duke i dhënë këtij të fundit pushtet në gjykatën e Elbasanit. Versus.al







