Prokuroria holandeze ka kërkuar 10 vite burg për 53-vjeçarin nga Saranda, Thanas Bako, i cili akuzohet për pastrimin e qindra miliona eurove në Holandë.
Ai dyshohet se ka qenë menaxher 500 milionë eurove teksa e pranoi edhe vetë në gjykatën e Roterdamit këtë të enjte se kishte bërë gjëra të gabuara.
“Unë isha lajmëtari, ky ishte një gabim i madh. Por përveç kësaj nuk di asgjë për këtë”, ka theksuar disa herë ai.
Avokati i tij më parë mohoi fuqimisht se ai ishte një “bankier i botës së krimit”.
Bako u arrestua në Athinë më 31 maj të vitit të kaluar me kërkesë të Holandës dhe tani ndodhet në një qeli holandeze për më shumë se një vit.
Ai thuhet se ka udhëhequr një rrjet korrierësh në Holandë nëpërmjet komunikimeve kripto, i cili ka lëvizur pothuajse 250 milionë euro për kriminelët. Kjo ka ndodhur në periudhën midis qershorit 2020 dhe marsit 2021.
Sipas Prokurorisë Publike, mesazhet e përgjuara tregojnë se Bako ka mbajtur shënim shumën e parave që kanë hyrë dhe kanë dalë.
Ai merrte mesazhe dhe i përcillte nga një vend në tjetrin.
Rrjeti thuhet se ka funksionuar nga zyra të ndryshme në Holandë, duke përfshirë Wateringen dhe Nieuw-Vennep. Anëtarët e rrjetit të korrierëve u dënuan me vite burg në fillim të këtij viti.
Në fund të vitit të kaluar, Greqia dhe Prokuroria Publike shqyrtuan mundësinë e marrëveshjeve për një dënim të mundshëm, por kjo nuk u bë e mundur./ Versus.al







