
12-vjeçari Leo Sadiku, i cili humbi jetën në QSUT më 8 janar ,është kujtuar nga shokët e ekipit të tij të cilët kanë organizuar një ndeshje me ekipin e Skënderbeut në stadiumin e Maliqit.
QSUT përmes një reagimi zyrtar deklaroi se 12-vjeçari kishte humbur jetën për shkak të miokardit akut, por familjarët e të miturit ngrenë akuza ndaj bluzave të bardha për mjekim të pakujdesshëm.
Nëna e Leos Roveta Sadiku e shoqëruar nga bashkëshorti dhe vajza e saj teksa mban foton e djalit në duar thotë se djalit të saj nuk i janë bërë ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar një diagnozë të tillë ndërsa pohon se është duke pritur që organet hetimore të veprojnë.
“Përgjigje akoma nuk kam marrë, kanë qenë të gjitha gënjeshtra ato që kam dëgjuar,nëpër rrjetet sociale,çfarë ka shprehur QSUT. Përgjigjen e kam vetë si nënë se pashë nga fillimi deri në fund se çfarë ka ndodhur me Leon tim. Neglizhencë totale nga mjekësia,duke filluar nga Korça në Tiranë. Unë për këtë kërkoj drejtësi,vetëm drejtësi për Leon tim.
Si Leo im mund të ikin shumë fëmijë të tjerë,se Leon e morën në qafë,nuk e trajtuan si duhet, Leon e neglizhuan,mamin ja gënjyen Leon dhe i thanë ka virozë. U mjaftuan me dy eko barku dhe me një grafi dhe me 3 analiza kaq i kanë bërë Leos tim asgjë më tepër. E nxjerrin Leon me temperaturë të lartë në Tiranë, Leo nuk ka shkuar me temp të lartë, Leo nuk kishte tension të lartë kur shkoi në Tiranë,se unë e kam nxjerrë nga reanimacioni i Korçës e kam çuar aty.
E nxorën me miokardit kur Leos tim nuk i është bërë as eko asgjë për zemrën e tij. Të gjitha janë gënjeshtra.
E shtruan në pavijon, por nuk ishte pavijon ishte burg, çfarë gjendje çfarë kushtetesh. I hidhnim serume të ftohta Leos, kur vajta e gjeta me duar të mavijosura, thoshin e ka nga e ftohta. Ju thosha Leo është nxirë shumë, ato më thoshin do i fusim serum.
Derisa shkoi në gjendje kritike dhe atëherë kujtohet një palo doktoreshë, kërkoi ambulancën të vinte, në momentet e fundit, çfarë do i bënin Leos tim ato momente kut për 7 orë rresht nuk ju dha asnjë ndihmë. Ai fëmijë ka vjellë për 7 orë, le të më dalë përpara ajo doktoreshë,ai ka vjellë gjak ndërsa ajo thoshte janë mbetje të mukozës të stomakut. Nuk ishin mbetje por gjak se unë kam foto.
Çfarë bëre ti me fëmijën tim??? Si këtu dhe andej në të 4 anët asgjë nuk u bë për Leon tim. Kemi bërë kallëzim dhe denoncim në komisariatin Maliq,kemi çuar dokumentacionin dhe na thanë do na marrë prokuroria në tel por kanë kaluar 16 ditë dhe për Leon nuk është kujtuar asgjë. Mua më duket neglizhencë.
Aty nuk ka ardhur as policia asgjë sepse unë nuk e dija që ekzistonin këto,tani po i dëgjoj që autopsia duhej bërë me apo pa miratimin tim. Megjithatë le të venë çfarëdo diagnoze,unë dua drejtësi për neglizhencën që ju bë djalit.
Leo ishte një ëngjëll, energjik që nuk donte të shikonte lot në sytë e mamit. Nuk mundet mami të mos qajë për ty bir, teksa shikoj këtë fushë,kur shikoj shokët tënd. Në qoftë se shteti nuk merr masa,nëse shteti nuk lëviz unë do bëj protesta,nuk e le me kaq sikur të jetë dita e fundit e jetës sime”.
Mes lotësh motra e 12-vjeçarit, Anastasia Sadiku, thotë se rasti i Leos duhet të shërbejë si një kauzë për të bërë që bluzat e bardha të shërbejnë me përgjegjësi.
“Vëllai im në datë 28 dhjetor ka luajtur për herë të fundit në këtë fushë,unë nuk dua që shteti të luajë me shpirtin e vëllait tim, dua drejtësi dhe të jetë hera e parë të paktën që të ngremë zërin dhe mos heshtim për gjithë fëmijët”.







