AKTUALITET /

Kërkohej për trafik droge, arrestohet në Itali vëllai i deputetes së PD! Ishte fshehur në hotel me të dashurën

Autoritetet belge e shpallën në kërkim pasi zbuluan përfshirjen e tij në një ngarkesë prej 50 kg kokainë në Belgjikë.

Shkruar nga Versus
Kërkohej për trafik droge, arrestohet në Itali vëllai i
Elda Hoti, vëllai i saj Markelian Hoti

Itali- 27 vjeçari shqiptar Markelian Hoti është arrestuar në Romë në kuadër të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet belge për trafik ndërkombëtar droge. Ai u kap brenda një hoteli ku fshihej së bashku me të dashurën e tij. Hoti konsiderohej si një ndër organizatorët e rrjetit kriminal që merrej me trafikun e kokainës mes Belgjikës, Dubait dhe Italisë.

La Repubblica shkruan se dyshohet se i riu kishte rol kyç në lëvizjen e ngarkesave të drogës, përfshirë një sasi prej 50 kg kokainë të zbuluar së fundmi.

Hetimet dhe urdhër-arresti

Prokuroria belge kishte dokumentuar përfshirjen e 27-vjeçarit shqiptar në organizatën kriminale, ku ai vepronte në cilësinë e organizatorit. Sipas autoriteteve, ai udhëtonte shpesh me automjete të fuqishme nga Europa Veriore drejt Dubait për të menaxhuar aktivitetin e paligjshëm. Kthesa në hetime erdhi pas sekuestrimit të 50 kilogramëve kokainë të fshehur në kontejnerë në portin e Antverpenit.

Pas këtij operacioni, Hoti humbi gjurmët, ndërsa në janar u shpall në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës, vepër penale që parashikon deri në 15 vite burg.

Fshihej në një B&B në periferi të Romës

Markelian Hoti u lokalizua nga skuadra mobile e policisë italiane teksa qëndronte me partneren në një B&B në periferinë lindore të Romës. Sipas mediave italiane, ai nuk ishte regjistruar në sistemin “Alloggiati Ëeb”, duke rezultuar praktikisht i padukshëm për autoritetet.

Pas konfirmimit të identitetit, 27-vjeçari u dërgua në paraburgim, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Belgjikës. Markelian Hoti është vëllai i deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hoti. Emri i tij u përmend edhe gjatë fushatës zgjedhore të 11 majit ku një person pretendonte se ishte kërcënuar prej tij. Në prill të vitit të kaluar, Hoti u arrestua për kanosje, por u lirua shumë shpejt. Versus.al

Poll