
Eurodeputetja franceze Emma Fourreau do të vizitojë Shqipërinë nga data 9 deri më 12 korrik, ku do të ndjekë nga afër protestat qytetare që po zhvillohen në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Fourreau bëri të ditur se do të vijë në Shqipëri për t’iu bashkuar protestuesve, të cilët prej 40 ditësh vijojnë qëndrimin e tyre kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Eurodeputetja deklaroi se vizita e saj lidhet me mbështetjen ndaj asaj që e cilësoi si “revolucionin e flamingove rozë”, duke ngritur akuza për çështje që lidhen me tokën, pasurinë dhe korrupsionin.
“Po shkoj në Shqipëri për të mbështetur revolucionin e flamingove rozë! Prej më shumë se një muaji, populli shqiptar po ngrihet kundër projektit ekologjik të financuar nga familja Trump dhe korrupsionit të qeverisë socialiste të Edi Ramës”, shkroi Fourreau në Instagram.
Ajo bëri thirrje për ndalimin e asaj që e cilësoi si grabitje të tokës dhe pasurisë, duke shprehur solidaritet me protestuesit.
“Ndalohet grabitja e tokës dhe pasurisë, mbështetni shqiptarët në këtë betejë”, ishte mesazhi i eurodeputetes franceze.
Vizita e saj vjen pak ditë pas qëndrimit në Tiranë të një grupi tjetër eurodeputetësh, të cilët shprehën mbështetje për protestat qytetare.
Protestat në kryeqytet kanë vijuar prej disa javësh, ndërsa organizatorët kanë ngritur shqetësime për politikat e qeverisë, çështjet e pronësisë dhe akuzat për korrupsion./Versus.al

